Rrahu brutalisht 3 vjeçarin derisa i theu brinjët, përfundojnë hetimet për njerkun

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në lidhje me çështjen e dhunimit të 3-vjeçarit, nga njerku i tij, Alfred Kazanxhi.

Ngjarja bëri bujë në muajin prill të këtij viti ku Kazanxhiu u arrestua dhe aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Ai akuzohet se ka dhunuar dhe keqtrajtuar fëmijën 3 vjeçar të bashkëjetueses.

Kujtomë se i mituri kishte marrë fraktura të shumta dhe brinjë të thyera. Kazanxhi e ka dhunuar fëmijën në kohën që nëna e tij kishte shkuar për të bërë pazar.

E ëma e 3-vjeçarit u procedua në gjendje të lirë. Alfred Kazanxhi ka mohuar akuzat për dhunë ndaj 3 vjeçarit, duke u shprehur në gjykatë se i mituri kishte rënë nga divani, por gjykatësi nuk e ka marrë parasysh deklaratën e tij, duke e lënë në burg.

Pritet seanca paraprake në Gjykatën Penale të Tiranës, e cila do të vendosë për kalimin në gjykim të dosjes me të pandehurin Kazanxhi.

Fëmija u shtrua në spital me fraktura të shumta në trup dhe brinjë të thyer, ndërsa fatmirësisht i shpëtoi dhunës së njerkut.

Rasti u denoncua në rrjetet sociale nga një grua, e cila pretendoi se gruaja e të vëllait Alba Kapaj Hoxha, bashkë me të dashurin e saj, Alfred Kazanxhi, i kanë dhunuar nipin 3-vjeçar (djalin e Albës). Menjëherë pas publikimit të rastit u arrestua 35-vjeçari.


Shtuar 21.09.2020 11:14