Frika nga koronavirusi, Kosova merr masa të rrepta për fluturimet drejt Italisë

Deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga koronavirusi në Kosovë, megjithatë Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vinë nga Italia e Veriut.

Njoftimi është bërë i ditur me anë të një statusi në Facebook, ku shkruan se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e këtyre fluturimeve.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se është në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe atë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të koordinuar kontrollin në Aeroportin “Adem Jashari”.

“Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar Abdixhiku.


Shtuar 8.03.2020 14:50