Republikanët po korrin atë që kanë mbjellë
Pëlqej
Albeu.com
Në SHBA kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet presidenciale. Ka filluar të ndihet atmosfera. Media bën të vetën; dhe jo vetëm media amerikane, e cila mezi e pret këtë moment (ndodh njësoj me median shqiptare, që mezi pret të vijnë zgjedhjet e radhës; ja, nuk e shihni sesi gulçon e dihat kjo media këto ditë me lajme të shpifura elektorale?). Sapo lexova në the Guardian një shkrim të autores Hadley Freeman, e cila përshkruante në mënyrë cinike kokëçarjen republikane për të gjetur një anti-Obama. Ishte shkrim që më ndolli, dhe prandaj zgjodha ta paraphrase-oja.

Në cilën pikë të fabulës jemi? Jemi në pikën kur Barack Obama ka shpallur kandidaturën e vet. Në kampin tjetër nuk i kanë punët mirë. Nuk është se janë kapur në befasi. As që bëhet fjalë; është ditur me kohë që Obama do të rikandidonte. Problemi është se më të mirët brenda Partisë Republikane ose nuk duan të kandidojnë, ose nuk kanë mbështetje nga establishment-i politiko-mediatik. Në përgjithësi, më të mirët janë dhe inteligjentë, d.m.th. e kuptojnë se “the incumbent”, d.m.th. Presidenti në detyrë që lufton për rinovimin e mandatit të vet, është për një mori arsyesh shumë më i favorizuar se pjesëmarrësit e tjerë në garë. Atëherë? Atëherë alternativat mbeten njerëz si Newt Gingrich, Michele Bachmann dhe Donald Trump.

Ju kujtohet se kush është Newt Gingrich? Jo? Është ai që donte të impeach-onte presidentin Clinton për atë flirtin jashtëmartesor me stazhieren e Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinski-n. Donte ta impeach-onte ngaqë nuk e pranoi, e jo ngaqë e pati një histori të tillë. E bukura është se edhe ai vetë pati një aventurë jashtëmartesore, dhe gënjeu lidhur me të, gjë që më pas e shpjegoi duke thënë, se “e di që kjo që kam bërë nuk është e ndershme, por në gjithçka jam shtyrë e cytur prej sentimenteve të forta patriotike”!!!! Në website-in Wonkette e kanë përqeshur vendçe pas kësaj: "Tradhtia bashkëshortore e Newt Gingrich-it ndodhi ngaqë zjarrmia për Amerikën e bëri shumë epsharak”. Mund ta mundë Obama-n një i tillë? Si zor është. Por është më zorshme ta mundë Michele Bachmann, një grua fajkua që ka dalë nga Tea Party, e cila është mbajtur me të madhe si patriote, por tash së voni u zbulua se ajo nuk dinte se në cilin shtet filloi revolucioni amerikan. Si i bëhet? Ka rrezik që Obama të mbetet përballë Donald Trump-it. Dhe në fakt, gjatë dy javëve të fundit portreti i tij është parë shpesh në televizionet amerikane.

Trump-i e identifikon veten si kandidat republikan, që del nga bota e sipërmarrjes. Është sipërmarrës vërtet? Hm, atij i pëlqen të mbahet si i pasur, por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një dandy vanitoz, që qindarkat e veta i shet si miliona. Merret vesh se është një kandidat i dobët. Është aq i dobët, sa as Fox News nuk gjen argumente për ta mbështetur. Që të kemi një ide të saktë, Fox News-i në SHBA është si TV Klani në Shqipëri; më saktë si TV abc; në rastin më të keq, si gazeta 55. Janë krahasime butaforike? Po, e di, por prapë ka diçka që i lidh mediat shqiptare në fjalë me Fox News-in; është qasja partizane në limite surreale.

Donald Trump u shfaq së fundmi në programin televiziv “Bill O'Reilly's programme”, dhe ish aq “fishkëllimë” në ato që thosh, sa bëri dhe vetë Bill O'Reilly-n që të dukej normal. Apo mendoni se O'Reilly është normal? Si mund të jetë normal ai? Ju ka dalë nga mendja situata kur ai, në studion e vet, iu drejtua djalit të njërit prej viktimave të 11 shtatorit 2001 me fjalët: qepe gojën ti! Trump-i foli dhe për Obama-n në programin në fjalë. Dhe foli me një gjuhë aq të vrazhdë, sa moderatori O'Reilly, i intervistuar më pas lidhur me këtë takim televiziv nga Glenn Beck i Fox News-it, u shpreh se hamendësimet raciste të Trump-it e bënë të ndihej keq. Përfytyroni pra se sa harbutçe është sjellë! Aq sa ka shock-uar dhe një njeri si O'Reilly, që andej nga viti 2009 s’e pati për gjë ta thërriste presidentin Obama “racist”.

Ku shkojnë republikanët me këtë kandidat? "S’kam fare ide se ç’dreq strategjie është kjo”, thotë plot naivitet Beck-u për republikanët. "Duhet pasur kujdes”, ia kthen O'Reilly. "E di, por kujdesi nuk na zgjidh gjë”. Duket si dialog i vjedhur nga dramat e Ionesco-s. Në fakt, është dialog republikanësh të trishtuar, të cilët janë duke korrur atë që kanë mbjellë. Nëse promovon gjatë gjithë kohës idenë se besueshmëria politike buron prej aftësisë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, domosdo do të jepesh pas personazhesh të tillë si Sarah Palin, Newt Gingrich, Donald Trump etj., e do të lësh pas dore emra e personalitete të një lloji tjetër. Për shembull? Po ja: Mitt Romney. Dhe me shumë të drejtë, Gary Younge shkruante këtë javë: "Kusht për të qenë i besueshëm dhe i vlerësuar brenda Partisë Republikane është të mos jesh i tillë jashtë asaj partie”. Nuk vlen kjo frazë edhe për mjedisin politiko-institucional shqiptar? (mapo)

Shtuar më 07/04/2011, ora 09:30
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori