Pse INSTAT-i na fsheh të dhënat e censusit?
Albeu.com
INSTAT-i i Ines Nurjes e ka fituar me kohë namin e një institucioni që i shkon sipas midesë Kryeministrit e që punon veç për të (vjen pas Televizionit Publik në listën e institucioneve që i jargaviten Kryeministrit). Ky institucion, një nga më të rëndësishmit e një shteti, që do duhej t’u bëhej krah të gjithëve në përpjekjet për të lexuar realitete të ndryshme, nuk bën gjë tjetër, veçse na i fsheh këto realitete të vendit ku jetojmë. Do të duhej të ish një institucion gati shkencor, dhe e ka lëshuar veten të shndërrohet në rastin më të mirë në një institucion të plogësht e ngordhalaq, e në rastin më të keq në një instrument të shëmtuar propagande. E vërteta është se nuk ka të dhëna që ky institucion të ketë fabrikuar e trukuar të dhëna, por ne dimë tanimë se ka heshtur përballë shifrave të fabrikuara të qeverisë (në një moment, para tre vitesh, Kryeministri desh na mori frymën me pretendimin se rritja vjetore e Shqip">Shqipërisë ish dyshifrore; kjo gjë nuk u verifikua më pas; në asnjë vit ne s’kemi qenë me rritje dyshifrore; por INSTAT-i nuk pati guximin ta përgënjeshtronte në të nxehtë alkiminë e shifrave të fryra të Kryeministrit). Nga ana tjetër, ky institucion është dalluar për vonesa, në ndonjë rast në kundërshtim me ligjin, në publikimin e të dhënave që flasin mbi gjendjen ekonomike të vendit, të cilat nuk do ta lejonin qeverinë të shiste dëngla e të çaprashiste gjepura. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me censusin e popullsisë e të banesave, që është realizuar në muajin tetor të vitit të shkuar.

Shtypi nuk e ka cytur këtë punë; e ka lënë të qetë INSTAT-in, “në shenjtninë e vet”. Dje, më në fund, ishte “Shqipi” që i kujtonte këtij institucioni ‘arrakat’, se ne po presim të informohemi mbi rezultatet e censusit. INSTAT-i i Ines Nurjes, ç’është e vërteta, na e ka dhënë një goditje propagandistike në muajin dhjetor, kur publikoi krejt papritur fare pak të dhëna. Ishin të dhënat lidhur me rritjen e numrit të popullsisë, dhe me numrin e banesave. Janë të vetmet të dhëna deri më tani, të cilat për ca kohë mbetën në gojën e Kryeministrit. Dhe është pikërisht kjo që ka bërë prore INSTAT-i: jep të dhëna që i pëlqejnë Berishës. Të dhëna të tjera që atij s’i pëlqejnë, konsiderohen prej INSTAT-it si sekret i madh shtetëror, si të dhëna subversive, si shifra delikate që s’duhet të bien në dorën e askujt tjetër. Po e teproj? Ndoshta. Por ajo që po ndodh të bën ta mendosh këtë gjë.

Censusi ka mbi tetë muaj që është kryer, dhe qysh përpara se të fillonin procedurat e regjistrimit ka pasur një kureshtje lidhur me hartën fetare e etnike të popullsisë në Republikën e Shqip">Shqipërisë. Kjo kureshtje vjen edhe për shkak të faktit që një regjistrim i tillë kish dekada që nuk bëhej; dhe nuk janë dekada dosido; përkundrazi, janë dekada ndryshimesh të forta në planin e demografisë e të orientimit fetar. Por kureshtja u shtua prej klimës së debatit publik e politik, që parapriu vetë censusin. Dhe debati, që vijoi me muaj të tërë, kish të bënte pikërisht me regjistrimin fetar dhe etnik. PBDNJ-ja, de facto partia e pakicave greke në Shqip">Shqipëri, këmbënguli që regjistrimi të përfshinte edhe identitetin etnik të shtetasve, dhe me këtë shpresonte (të paktën, ky ish nënvizimi i partive shqiptare me sfond nacionalist) që pakica greke të rezultonte më e madhe se sa shifrat zyrtare që mbroheshin, apo pëshpëriteshin, prej kohësh. Parti të tjera, në radhë të parë Aleanca Kuq e Zi, u ra borive të alarmit; ajo shihte një rrezik te ky regjistrim etnik, i cili po bëhej në një situatë, kur shqiptarët – kjo ish frika – mund të mos e merrnin seriozisht, e mund ta bënin shkel e shko, deklarimin e përkatësisë etnike. Ca e ca i mëshonin idesë se shqiptarët, sidomos ata të fesë ortodokse të gjendur nën presionin apo ledhatimin e qarqeve nacionaliste greke, s’do ta kishin për gjë të adoptonin një qasje të shkujdesur në një rrethanë të tillë. “Grekët do të derdhin pará, dhe do të bëjnë korruptimin etnik të shumë shqiptarëve”, thuhej tek-tuk, dhe nga këtu ka qenë e lehtë të bëhej kërcimi te teza e aleancistëve të Spahiut, të cilët kanë qenë të bindur se ky census po bëhej kështu si po bëhej nën trysninë e grekëve, që kishin kushtëzuar anëtarësimin e Shqip">Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave me ok-in për regjistrimin etnik e fetar.

Mirëpo INSTAT-i s’do t’ia dijë për kërshërinë tonë, që tek-tuk është dhe interes i natyrës akademiko-kulturore. Pse vallë? Ka që thonë se censusi në këto dy drejtime ka dalë i pavlefshëm, ngaqë një përqindje e madhe njerëzish ka refuzuar të përgjigjet. Është vërtet kështu? Po pse s’na e thonë atëherë? Me ç’të drejtë e me ç’logjikë e mbajnë këtë të dhënë për vete? Pse na lënë neve të rendim pas spekulimeve? Apo ka ‘hile’ të tjera në këtë mes?

Në përgjigje të pyetjes së fundit, ka ca të tjerë që thonë se INSTAT-i është duke pritur që Berisha t’i japë ok-in, pasi e dhëna mbi përkatësinë etnike të shqiptarëve mund të zemërojë grekët (ka dalë një përqindje e vogël grekësh nga regjistrimi, gjë që s’përligj as paranojat e nacionalistëve shqiptarë, që s’lanë gjë pa bërë me synimin për ta demonizuar apriori përmasën etnike të censusit; ndërsa aposteriori janë duke kënduar këngën “rroftë censusi”). Ka ca të tjerë akoma që thonë, se e dhëna mbi identitetin fetar të shqiptarëve mund t’i krijojë Berishës të krisura në marrëdhëniet me komunitetin mysliman, që ka pritur të jetë më i madh në numër (fakti që 70% e popullsisë deklaron “distancë me fenë” nuk është shenjë e mirë për myslimanët; janë të gjitha gjasat që tek ky 70%-ësh të ketë shumë pak të krishterë). Shkurt, bindja është se INSTAT-i nuk po i publikon këto të dhëna, ngaqë vlerëson se ato janë problematike. Sikur të jetë kështu, lindin pyetjet: Kush është INSTAT-i që mund të bëjë arsyetime të tilla? Mbi ç’bazë i bën këto arsyetime? Ia kërkon Kryeministri? Po Kryeministri kush është që i dhënka të drejtë e tagër vetes të bllokojë apo lejojë publikimin e të dhënave të tilla?

Kuptohet, këto pyetje ngrihen mbi supozime. Dhe kemi të drejtë të supozojmë në rrethanat kur INSTAT-i na fsheh të dhënat, të cilat ai vetë i ka nxjerrë dhe i ka në duar prej muajsh. Mirëpo, ato të dhëna janë pronë e publikut, jo e Ines Nurjes, as e boss-it të saj, Sali Berishës.
Shtuar më 19/06/2012, ora 15:11
Tage: Shqip

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori