Paralajmërimi i FMN’së nuk është shaka
Albeu.com
Po rriten shumë gjasat që Sali Berisha, tek i cili kombinohet amatorizmi me tahmanë për të sunduar, të ikë nga pushteti në të vetmen mënyrë që ai di: duke e lënë vendin në buzë të greminës; në mos, duke e hedhur sërish në greminë. Dhe këtë herë nuk do të jenë as falimentimi i firmave piramidale, as protestat e dhunshme, që do të shënojnë fundin pa kthim të erës berishiane. Jo, jo, nuk parathuhen e parashihen skenarë të tillë. Këtë herë do të ishte mjaft që ndonjë agjenci botërore që merret me rating’un ekonomiko-financiar të vendeve të ndryshme, fjala vjen Moody’s, apo Standard & Poor’s, të na vinte etiketën e vendit, borxhi publik i të cilit është përtej kufijve të vet fiziologjikë apo përtej garancive strukturore që ofron ekonomia e tij, dhe punët tona do t’i merrte lumi njëherë e mirë. Dhe në një farë mënyre kjo ka ndodhur, pasi borxhi ynë publik është kualifikuar tanimë si i frikshëm. Ndërsa FMN’ja sapo na e dha mandatin. “Ka rrezik të përfundoni si Greqia”, kështu na tha.

Qeveria jonë nuk i ka përfillur deri më sot paralajmërimet e bërë nga zëra të brendshëm, duke i konsideruar “zëra të opozitës që trishtohet nga sukseset e Qeverisë”. Çfarë kanë thënë këto zëra, të cilët, afërmendsh, nuk janë vetëm të opozitës? Kanë thënë se nuk duhet prishur kontrata me FMN’në, pasi kjo e fundit mund të ishte e vetmja gardiane e ekuilibrit të financave publike, në rrethanat kur çdo qeveri në një vend si ky i yni, do kishte ngasjen për të nxjerrë nga thesi më shumë sesa do të fuste në të. Po tjetër? Kanë thënë fillimisht që kriza do të vinte, kur ajo ende nuk kish mbërritur, më pas që kriza është ulur këmbëkryq, kur të gjitha indikacionet e thoshin këtë gjë, dhe më në fund që në këtë situatë duheshin marrë masa parandaluese. Dhe siç shihet, nuk është se kemi të bëjmë me zëra veçanërisht inteligjentë. Kanë thënë të vërteta të thjeshta, elementare, që mund t’i shquante çdo budalla i këtyre anëve.

Por jo Qeveria jonë. Kjo nxitoi ta largonte misionin e FMN’së. Të gjithë e dinin pse po e bënte, por tanimë dihet edhe më mirë: donin të ishin të pakontrolluar në sjelljen e tyre shkapërdare.

Ata rritën ndjeshëm shpenzimet publike (kryesisht rrogat dhe investimet) me synimin për t’u ngrefosur si Qeveri punëmadhe e për të nxjerrë përfitime elektorale, por kuptohej që kjo ishte pesë me hiç. Të gjithë mund të bëhen punëmëdhenj në këtë rrugë, d.m.th., duke rritur deficitin dhe borxhin.

Dhe, në fakt, ata ecën me logjikën se borxhi ynë publik është kotmëkot i ulët, duke harruar se borxhi ishte mbajtur në këto nivele me një logjikë të caktuar: vende të tjera, sidozot Italia, mund t’ia lejojnë vetes luksin të kenë një borxh më të madh sesa vetë GDP’ja e tyre, ndërsa për vende si Shqipëria një borxh shumë më i vogël se kaq është baras me falimentimin.

Edhe vetë Qeveria e ka ditur se “punëve të mëdha” do t’u vihej një pikëpyetje e madhe, nëse fatura e tyre nuk justifikohej me të ardhura gjithnjë e më të mëdha që hynin në buxhetin e shtetit. Kjo është arsyeja që Berisha na ka lodhur veshët me sendërgjitë e tij, sipas të cilave kriza globale nuk e ka prekur Shqipërinë, se kjo ka ndodhur ngaqë Qeveria ka bërë reforma, se rritja ekonomike e vendit është dyshifrore (këtë e tha teksa kriza ishte duke shpërthyer), se Shqipëria është një model i suksesshëm zhvillimi, se në ndonjë drejtim jemi të parët në Europë, e në ndonjë drejtim tjetër jemi të parët në botë, e plot qyfyre te tjera të kësaj natyre.

“Po si u bëka kjo punë kështu? Po të ishte kaq e lehtë, edhe kryeministrat e tjerë do të loznin me shifrat e përqindjet e rritjes si t’ua kish ënda, në mënyrë që të kishin përfitime elektorale”, mund të thotë ndokush, që vijon ta besojë. Është shumë i thjeshtë shpjegimi. Kryeministrave të tjerë, së pari nuk u shkon në mendje të lozin me shifrat e të trukojnë financat publike (do të ishte njësoj sikur një kryefamiljar çfarëdo të trukonte situatën financiare të familjes së vet. Do t’ishte një veprim i pakuptimtë dhe marrok, apo jo? Ata nuk janë marrokë). Dhe së dyti, edhe sikur t’u shkonte në mendje ta bënin këtë gjë, nuk do të mundnin. Në vende të tjera, qeveria ka në dorë veçse të drejtojë vendin, ndërsa rezultatet e punës së saj i mat dikush tjetër. Qeveria mund të ketë, apo mund të ngrejë, institucione të vetat, të cilat mund ta bëjnë këtë gjë, por shifrat e institucioneve qeveritare nuk janë as për konsum publik, as për të trukuar gjendjen; ato janë shifra e të dhëna, që qeveria i nxjerr për hesap të vet, e që i tregojnë po qeverisë se ku është me projektin qeverisës. Sa për trukimin pra, ai është i pamundur.

Për ta bërë të mundur, kryeministrave do t’u duhej “të blinin” institucione të tjera, krejt të pavarura nga qeveria, të cilat kanë për detyrë edhe të masin saktësisht punën e qeverisë, edhe ta kontrollojnë e qortojnë atë. Një nga këto institucione është Banka e Shtetit. Një tjetër është Instituti i Statistikave. Ka dhe institucione të tjera, një pjesë e të cilave funksionojnë me pará të privatëve.

Mirëpo në Shqipëri ndryshon puna, dhe prandaj trukimi është i mundur. Ky vend është i gjithi në dorë të Berishës. Këtu Banka e Shqipërisë, apo Instati, janë thjesht institucione që konfirmojnë broçkullën e rrenën më të parë të cilën Berisha e ka për mbarë ta thotë. Nëse ky i fundit del e thotë se në Shqipëri nuk ka krizë, marifetçinjtë e Bankës së Shtetit apo të Instatit vihen në punë për të kopsitur shifra të tilla që të çojnë tek ky përfundim. Këto të fundit kështu sillen pas çdo deklarate e qëndrimi të kryeministrit. E në këto rrethana, nuk do të çuditesha hiç sikur dikush i mirëinformuar mbi vendimet që merren gjatë rendezvous’ve nëpër korridoret e shtetit shqiptar apo nëpër baret e Rognerit e të Sheratonit, të më betohej e stërbetohej që edhe normat bankare të interesit i cakton kryeministri. Do të çuditesha pak po të ma thoshin të kundërtën.

Në ndryshim pra nga vendet e tjera, ne kemi një kryeministër, që edhe s’e ka për gjë të gënjejë e të trukojë, edhe s’e ka hiç të vështirë. Mirëpo, ky njeri, ndërsa e ka vrarë mendjen për të trukuar, e për të gjetur mashat që do ta bënin këtë punë, s’e ka vrarë mendjen për diçka tjetër: në këtë mes nuk shkohet gjatë me rrena. Nuk mund të prishësh pa fund më tepër sesa fiton, duke gënjyer se fiton më shumë se sa prish. Dhe ja, ku jemi, dënglave e hileve u ra kallaji: Shqipëria është në pikë të hallit.

Si do t’ia bëjnë për të dalë nga ky cul-de-sac? Më së pari duhet ta pranojnë këtë situatë. Çfarë është fshehur nuk mund të fshihet më. Në ndryshim nga më parë, është buxheti i shtetit që nuk lejon e nuk mbulon dot më ngrefosje. Së dyti, duhet të heqin dorë nga veprime të tilla të ndyra (sic!), siç ishte ai i rritjes së rrogave bash në kohë të kiametit. Së treti, duhet të ulen urgjentisht tok me opozitën, në mënyrë që të mos lejojnë që “më e keqja” të pasohet “nga më e keqja”.
Kam frikë se nuk do të ecin kësaj rruge. Ngjan se janë duke menduar veç për një gjë: si të qëndrojnë në pushtet, e si të dalin gjysmë faqebardhë e krejt pa u lagur nga kjo histori. Po shtrydhin deri në fund resurset e fundit që i kanë mbetur vendit. Po tentojnë të marrin borxhe të reja, por kemi të bëjmë me përpjekje të kota (për fat të mirë), pasi të huajt nuk janë aq leshko sa të kandisen t’i japin borxh një vendi që po heq shpirt nën peshën e keqqeverisjes e të borxheve të vjetra, ndërsa loja me kreditimin e qeverisë prej bankave të brendshme mund të quhet e mbyllur; mund të quhet e mbyllur, jo vetëm sepse kapaciteti huadhënës i bankave lokale është ky që është, por edhe sepse çdo kreditim i tillë është si t’u marrësh frymën sipërmarrjeve të vendit. Një gjë e tillë as vetë qeverisë, sado idiote të jetë, nuk i leverdis, pasi qederi i paguar prej dobësimit të biznesit të vendit është dukshëm e logjikshëm më i madh sesa “qari” i fituar prej kredive të marra në banka.

E keni marrë vesh masën e fundit? “Do të bëjmë amnistinë fiskale”, thonë. Në fakt, nevoja për një amnisti fiskale ka ekzistuar prej kohësh, por është gjynah ta bësh këtë shpejt e shpejt nën presionin e nevojës dramatike për pará, me të cilat do të mbushet arka e shtetit, apo kasafortat e bankave private. Amnistia fiskale duhet të bëhet në kohë më “neutrale”, me synimin për çliruar kapitalin dhe energjitë e fshehura të biznesit, për ta futur botën e biznesit mbi shinat e rregullit e të ligjit, dhe – ky është një efekt i kërkuar shqiptar i amnistisë – për t’i nxjerrë njëherë e mirë sipërmarrësit e të gjitha kategorive nga varësia e frikës prej qeverisë e strukturave të saj. Ndërsa qeveria jonë do ta bëjë, ngaqë i duhen ca pará (nuk përjashtohet që e bën edhe për të legjitimuar bandat që ajo ka pasuruar këto pesë vitet e fundit).

“Do të shesim çfarë është e shitshme në këtë vend”, janë duke thënë njerëzit e qeverisë, dhe kuptohet që në këtë rast kemi të bëjmë me një privatizim që nuk ka për synim as valorizimin e aseteve të pasurisë kombëtare, as rritjen e efektivitetit ekonomik të këtyre aseteve. Po njësoj, duan thjesht të mbledhin ca para, të cilat ka rrezik që shumë shpejt t’u duhen për të paguar rrogat e nëpunësve publikë. Dhe nuk po shqetësohen fare mbi faktin që të shesësh pasurinë publike në rrethanat e një emergjence kombëtare do të thotë të futesh në negociata shitjeje me një pazar shumë të ulët. E puna do të katandiset që kjo pasuri kombëtare do të blihet për pesëdhjetë qindarka nga brigantët lokalë të lidhur me pushtetin e Berishës. Rrjedhimisht, asetet e pasurisë kombëtare do të ikin për dhjamë qeni.

Por na duhet të shmangim më të keqen: duhet të mos na ikë për dhjamë qeni ky vend.

Paralajmërimi i bërë nga FMN-ja është ogurzi e ndjellakeq. Bëjmë mirë ta marrim më seriozisht sesa e kemi marrë. Sidomos ata që po bëjnë sikur nuk dëgjojnë asnjë kambanë alarmi.
Shtuar më 13/07/2010, ora 22:09
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori