Mund të pengohet loja presidenciale e Berishës?
Albeu.com
Më pyeste një diplomat këto ditë: Ka ndonjë gjë që mund ta bëjë Berishën të ndërrojë mendje lidhur me vendimin që ka marrë për të zgjedhur në krye të shtetit një eksponent të Partisë Demokratike? Ideja ime është se ndoshta mund (nuk po më shpëton kjo shprehje tautologjike “ndoshta mund”; po e shkruaj qëllimisht kështu për ta theksuar pasigurinë time) të ndryshojë mendje në qoftë se e merr në telefon Hillary Clinton e ia kërkon këtë gjë. Ia thashë dhe diplomatit, dhe ai më tha si me të qeshur që t’ia sugjeroja ambasadorit amerikan këtë ide; veçse janë shumë të pakta gjasat, më tha, që Hillary Clinton të bjerë dakord që të harxhojë dy minuta nga jeta e vet për të folur në telefon me Berishën.

Në fakt, kjo pyetje që më bëri diplomati i huaj është një pyetje që ia kisha bërë dhe vetes. Po e shtroj dhe në këtë shkrim: Ka ndonjë gjë që mund t’ia ndërrojë mendjen? Vërtet do të mjaftonte një telefonatë e shkurtër nga ana e Hillary Clinton-it, ku kjo e fundit t’i thosh Berishës të merrej vesh me opozitën e të zgjidhnin një president mbi palët? Duhet thënë se nuk mund t’i japësh përgjigje të saktë kësaj pyetjeje, nëse nuk dimë përgjigjen e ca pyetjeve të tjera: Përse Berisha gjakon kaq shumë që ta ketë në dorë postin e Presidentit? Çfarë frikërash e persekutojnë atë? E pse marrja në dorë e postit të Presidentit ia zgjidh problemin me këto frikëra? Apo është e vërtetë tjetra, d.m.th që Berisha po e kërkon këtë post për arsye, që s’lidhen me asnjë frikë, por që lidhen me tahmanë për ta shtrirë sundimin mbi këtë vend sa më shumë të jetë e mundur, për të rregulluar ca balanca të brishta brenda PD-së e për të hedhur ujë në zjarrin e ca rivaliteteve në atë parti, apo për të krijuar një kontekst institucional që nuk do t’i bëhej pengesë në përpjekjet për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2013?

Këto të fundit, do t’i përjashtoja në njëfarë mënyre. Po, janë në listën e arsyeve, që nuk e lënë ta lërë presidencën në dorë të trilleve të negociatave me të tjerët, por nuk janë të tilla që do ta bënin atë të besonte se ia vlen të grindesh me gjithë botën për këtë punë. Vendosmëria e tij e ka burimin te frikërat që e përndjekin. Marrja në dorë e presidencës i jep atij kontrollin e plotë mbi sistemin e drejtësisë, rrjedhimisht i jep ato garanci që sot nuk i ka përballë zullumeve të pafundme që ka bërë. E prandaj kam frikë se dhe një telefonatë e Clinton-it nuk do t’ia ndryshonte mendjen.

Atëherë? Atëherë ca e ca mendojnë se ka një zgjidhje tjetër, d.m.th “le ta mbajë mendjen që ka, por mund të pengohet të bëjë atë që do”. Pikërisht në këto rrethana ka rihyrë në lojë Ilir Meta dhe ky është tanimë një fakt; nuk është supozim, hamendje, apo shpresë. Votimi i para disa ditëve për anëtarin e ri të KLD-së ishte lajm në shumë drejtime, por një lajm veçohej qartazi: Ilir Meta dha provën se po kërkon të rikuperojë sa të jetë e mundur një pavarësi në aksionet, gjykimet e llogaritë e veta politike. Burime nga brenda mazhorancës thonë se Berisha është tërbuar me Metën për sjelljen e asaj dite. Ky i fundit e shpëtoi Berishën, pasi i dha votën e 71-të, por në të njëjtën kohë, së pari e fëlliqi faqe botës duke e detyruar të bënte atë truk procedural, e së dyti i tregoi se votat e LSI-së nuk janë siç kanë qenë, d.m.th miell në thesin e tij.

Është Meta personi që mund ta pengojë Berishën të zgjedhë kë të dojë në postin e Presidentit? Nëse mbajmë parasysh aritmetikën parlamentare, duhet thënë po. Dhe aritmetika është shumë e qartë dhe e thjeshtë: PD-ja ka 66 deputetë në Parlament. Dy deputetë janë të çamëve, që sapo kanë futur këmbët në mazhorancë, e prandaj gjasat janë që të llogariten si vota të Berishës. U bënë 68. Një votë është e Fatmir Mediut, dhe këtë Berisha e ka në xhep shí siç ka portofolin e vet. U bënë 69. Kush është i 70-i? Është Kastriot Islami, të cilin vetëm ndonjë rrethanë shumë e çuditshme mund ta bënte të rikthehej te Rama e te PS-ja. Prandaj dhe ky duhet llogaritur te votat e sigurta. Mirëpo 70 vota nuk mjaftojnë. Duhen të paktën 71 dhe votën e 71-të Berisha nuk mund ta marrë nga LSI-ja. Nga LSI-ja o i merr të katër votat, o s’merr asnjë, e në këtë kuptim do t’i duhet të negociojë me Metën e vetëm me Metën. E prandaj, njerëzit kanë zënë të mendojnë se zgjedhja e Presidentit është në dorë të Ilir Metës.

Është kështu? Sipas meje, nuk është tamam kështu. Votat e LSI-së ia thjeshtojnë punën Berishës (kur i ka me vete), por nuk është e thënë t’ia prishin planin presidencial (nëse i ka kundër). Ai i ka 70 vota të sigurta dhe gjatë dy muajve të ardhshëm, teksa do t’i duhet të kujdeset për shëndetin e secilit prej 70 deputetëve të vet, atij i del për detyrë të psonisë votën e 71-të. Një detyrë, që e ka si bukë me djathë. Madje, nuk është çudi që, për të qenë brenda e për të mos u futur sadopak i pasigurt në këtë lojë, të psonisë 3-4 deputetë. Ku t’i psonisë? E ku tjetër? Në dyqanin socialist. Duhet të ketë në grupin parlamentar socialist nja 3-4 vetë që nuk janë të bindur se Rama mund t’i fusë në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, dhe këta një ditë prej këtyre ditëve, veç e veç apo të tërë bashkë, mund të improvizojnë një sherr me Ramën për ta pasur si arsye për të bërë një aleancë presidenciale me Berishën (ose mund ta bëjnë këtë aleancë pa qenë nevoja e ndonjë sherri; një vendim i tillë mund të përligjet me nevojën që ka vendi për stabilitet politik në prag të vjeshtës, kur në Bruksel do të rikonsiderohet kërkesa e Shqip">Shqipërisë për vendin e kandidatit).

Shkurt, janë të gjitha gjasat që Berisha ta fitojë bastin presidencial. Ai e ka treguar dhe herë të tjera se në momente të tilla është në gjendje të ketë atë mazhorancë që i lipset. Prishja me Metën i prish atij seriozisht ekuilibra të mazhorancës së qeverisjes, por nuk e mban varur e nën presion për sa i takon mazhorancës presidenciale. Pa Metën, pra ai do ta ketë të zorshme të vazhdojë qeverisjen, e të futet i qetë në zgjedhjet e vitit tjetër, por sa për Presidentin, atë e ka në xhep. Me apo pa Metën.
Shtuar më 18/04/2012, ora 02:12
Tage: Shqip

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori