Jemi në periferi të krizës financiare?
Pëlqej
Albeu.com
Mustafa Nano - Bailout është një term i anglishtes që përdoret rëndom në gjuhën e biznesit. Ç'do të thotë? Do të thotë "t'i japësh ndihmë financiare, pará cash e likuiditete firmave, kompanive, apo korporatave, të cilat janë duke kaluar vështirësi të dukshme; synimi është të shmanget falimentimi ose, në rrethana më dramatike, të shmangen dëmet e mëdha që mund të provokojë falimentimi i sigurt". Me fjalë të tjera, më të varfra e më të kuptueshme, është njësoj si “të mbash me serum një të sëmurë, me qëllim që ky të sillet ngadalë-ngadalë në jetë, apo të përcillet butë-butë drejt vdekjes”.

Kush e jep këtë ndihmë financiare, nuk e bën as për bamirësi, as për sytë e bukur të atij që është duke falimentuar; përkundrazi, e bën o nga frika se dëmet e falimentimit do të bien edhe mbi të e mbi mjedisin ku ky i fundit jeton e vepron, o nga siguria se do të ketë përfitime të mëdha prej rigjallërimit të sipërmarrjes së sëmurë. E ndërkohë, përfiton të drejtën për të patur një votë të mirë (ndonjëherë edhe një veto) në procesin e vendimmarrjes gjatë aktivitetit të mëtejshëm të sipërmarrjes, që është në hall. Shkurt, për një kohë të caktuar, kompania që asistohet me një bailout nuk është më sovrane. Nuk janë pronarët e vërtetë që kanë komandën; në rastin më të mirë, ata mund ta kenë komandën tok me të tjerët.

Qysh nga momenti që filloi kriza e përbotshme financiare, termi bailout ka zënë të përdoret edhe në kuptimin e një mbështetjeje a ndihme financiare për të shpëtuar shtete të caktuara. Kjo gjë ndodhi me Greqinë, e cila ishte në prag të dështimit total financiar (aq sa shumëkush po fliste për nxjerrjen në ankand të ishujve, pasurive e bukurive natyrore të këtij vendi): 16 vendet më të fuqishme të BE-së, me në krye Gjermaninë, dhe tok me FMN-në, ranë dakord t’i japin Greqisë 110 miliardë euro. Pse? Nga frika se kriza greke do të merrte si vaji në lakër, e do të kapte Portugalinë, ose Spanjën, dhe pastaj punët e Europës do t’i merrte lumi. Iu falën Greqisë këto pará? Jo, janë para huá, të cilat Greqia do t’i kthejë mbrapsht sipas një kalendari të përcaktuar mirë. Përveç kësaj, këto pará janë dhënë me kushtin që grekët të shtrëngojnë fort rripin dhe të mësohen të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin. Do t’u duhet që, për ca kohë, të heqin dorë nga ca qejfe e qoka, mes të cilave kanë qenë mësuar të jetojnë për më shumë se dy dekada. Ndërkohë, Greqia nuk ka më sovranitetin që ka normalisht një vend i lirë. Është një vend në dorë të “kredidhënësve”. Nëse këta të fundit do të jenë të mendimit se grekëve u duhet ta shtrëngojnë rripin edhe ca, këtyre s’u mbetet gjë tjetër veçse të binden.

E thashë pak më sipër, se frika ishte se mos virusi kapte Portugalinë dhe Spanjën. Mirëpo, krejt papritur ka kapur Irlandën. BE-ja bëri gati fët e fët një bailout të ri: janë 80 miliardë euro për tre vjet. Qeveria irlandeze, ashtu si ajo greke, është e detyruar të zbatojë një “austerity plan”, d.m.th. shkurtime në administratë, ulje rrogash, ulje shpenzimesh, rritje taksash etj. U hodh dhe ky hall. Mirëpo këto pará, me të cilat janë bërë dy bailout-e, krijojnë një gropë diku; gropa krijohet në financat e BE-së, e cila nuk mund të ketë fuqi të përballet pa fund me kriza të tjera të kësaj natyre. Sipas numrit të djeshëm të gazetës New York Times, BE-ja ka takat t’i bëjë ballë edhe vetëm një krize të ngjashme, e cila po vjen vërdallë andej nga lagjja luzitane. Madje, në versionin gjerman të gazetës së sotme Financial Times, flitej për një presion të fortë që po ushtrohet mbi Portugalinë nga ana e Brukselit dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me synimin për ta detyruar qeverinë portugeze të kërkojë ndihmë qysh tani, përpara se të jetë vonë. Nuk është se gjendja e bankave portugeze është në pikë të hallit (krahasuar me bankat irlandeze, ato janë lule), por, të djegur nga qulli, “kredidhënësit” kanë plot të drejtë t’i fryjnë kosit. Përveç kësaj, objektivi më i largët i këtij presioni të parakohshëm është të mbulohet Spanja, e cila mund të afektohet pa një pa dy nga një krizë limitrofe. Dhe nëse vala e krizës mbërrin në Spanjë, atëherë gjërat komplikohen shumë. Në terma ekonomikë, Spanja nuk është një palo vend. Ajo bën pjesë te gjigantët europianë. Ekonomia e saj është sa trefishi i ekonomisë së Greqisë, Irlandës e Portugalisë të marra së bashku, e në këtë kuptim nuk është shaka të merresh me të. Kjo gjë mund ta bëjë BE-në të dorëzohet. Dhe sikur të ndodhte kjo - larg qoftë ajo ditë! - mjerë të dobëtit e mbetur, apo të tjerët që do të jenë në nevojë. Në nevojë mund të ishte dhe Shqipëria, financat e së cilës ka kohë që i janë lënë në dorë fantazisë së prishur (dhe hesapeve elektorale) të Berishës. Shyqyr që jemi vend i vockël, dhe jashtë korrenteve të këqija që fryjnë në tregun e madh, të hapur e të njëjtësuar; përndryshe do na kish marrë lumi me kohë me këtë borxh (mbi 60% e GDP-së) që na ka krijuar kjo qeveri. Por kur korrentet të bëhen më të mëdha, do të mjaftojë një bisht i furtunës për të na bërë copë-copë. Prandaj duhet bërë kujdes qysh tani. Po kujt t’ia thuash këtë gjë?
Shtuar më 29/11/2010, ora 09:52
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori