Rebusi kosovar
Albeu.com
Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të cilat përcaktuan një parti qartësisht fituese me një proces shembullor në shumë elemente. PDK e Kryeministrit aktual Hashim Thaçi praktikisht mundi e vetme secilën prej katër copave më të forta të opozitës. Kjo opozitë nuk mundi të bashkonte para zgjedhjeve në një koalicion, përkatësisht katër copat: LDK-në e ish-kryebashkiakut të Prishtinës Mustafa, AAK-në dhe Nismën për Kosovën e ish-bashkëluftëtarëve Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, dhe Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Detyrat e çdo kryeministri që do ta udhëhiqte Kosovën, pra dhe të Hashim Thaçit, janë shumë të vështira, aq më shumë nëse përballen me premtimet elektorale, por kjo është çështje e një shkrimi tjetër. Dilemat që janë ngritur sot pas një akti të pazakontë ; bashkimit të katër copave në një koalicion paszgjedhor, kur ende nuk janë certifikuar rezultatet, nuk lidhen me këto vështirësi, por me atë se kujt i takon të formojë qeverinë. A i takon Hashim Thaçit, figurës së talentuar politike që ka lënë gjurmë në historinë e re të Kosovës ; në luftë, në pavarësi, në negociatat për paqen, apo rivalit të tij Haradinaj, kreu i partisë së katërt të Kosovës, që u mor vesh me liderët e tri partive të tjera?Dilema nuk është vetëm kushtetuese, por dhe morale, madje dhe e lidhur me stabilitetin e brendshëm të Kosovës apo me atë rajonal. Ama, nga zgjidhja e drejtë e dilemës kushtetuese varet dhe zgjidhja e problemeve të tjera si kursi i ardhshëm politik i Kosovës, stabiliteti i pritshëm ndëretnik, ai rajonal etj.
Zgjidhjet e mundshme
Kushtetuta e Kosovës, thuajse njëlloj si Kushtetuta e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë që zbatojnë sisteme zgjedhore proporcionale, pohon në nenin 95, paragrafi 1 se: “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Zoti Thaçi ka krijuar një koalicion me parti të vogla, por ky koalicion nuk ka fituar këtë shumicë të nevojshme, pra 50% plus një. Moralisht zoti Thaçi duhet të ishte mandatar i krijimit të qeverisë, pse ai ka mundur, megjithëse pas dy mandatesh dhe problemesh të mëdha me qeverisjen, të dalë partia apo koalicioni më i madh zgjedhor. Por a interpretohet sipas qasjes morale ky tekst? Si do sillet Presidentja, a do të mandatojë zotin Thaçi, apo Haradinajn, përfaqësuesin e një koalicioni të krijuar me ngut nga 4 copat e opozitës në përpjekje për ta ndaluar mandatin e tretë të zotit Thaçi? Me gjasë Presidentja do të mandatojë zotin Thaçi, sepse ajo është qartësisht e lidhur me të, dhe ajo s’ka frikë nga një Gjykatë Kushtetuese e cila ka treguar shpesh se është nën ndikimin e Kryeministrit aktual. Një akt kushtetues është shkelje kushtetuese nëse konstatohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe ajo me gjasë s’do të ketë frikë ta bëjë këtë. Mirëpo ky është një përfundim i mbështetur thjesht dhe vetëm mbi të kaluarën e marrëdhënieve institucionale kosovare, dhe jo mbi të sotmen apo të ardhmen e tyre. Të gjithë në Kosovë janë gati të vënë bast se pas mandatimit, zoti Thaçi do jetë në gjendje ta bëjë qeverinë, madje dhe me copat e opozitës që dje bënë marrëveshje. LDK, Nisma, AAK apo Vetëvendosja mbetën copa të opozitës, pse donin ta kushtëzonin individualisht fituesin, cilido të ishte ai duke vepruar egoistikisht, dhe jo mbi bazë të një emëruesi të përbashkët. Pra nesër ata mund ta prishin akordin e djeshëm sipas një tradite marrëveshjeprishëse të Kosovës, duke iu bashkuar zotit Thaçi. Me gjasë zoti Mustafa do jetë më i prirë për ta bërë këtë. Ndaj kjo marrëveshje e sotme prej kampit të zotit Thaçi u quajt si ngritje pazari në perspektivën e krijimit të qeverisë prej Kryeministrit aktual, ndërsa ende nuk janë certifikuar rezultatet.Dilema kushtetuese nuk është shumë e thjeshtë po të mbahet parasysh se për herë të parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, apo dhe Presidentja e saj, ballafaqohet me një çështje kaq themelore sa kjo; krijimi i qeverisë së re. Në përgjithësi ndërkombëtarët kanë hequr dorë nga një pjesë e rëndësishme e punëve në Kosovë pas mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur, por kjo nuk është një çështje e parëndësishme për ta. Se kush do ta qeverisë Kosovën pas një muaji, nuk lidhet vetëm me stabilitetin e brendshëm të Kosovës apo të pjesës shqiptare të saj. Ky stabilitet dhe mund të kërcënohet nëse palët që festojnë të alternuara në rrugët e Prishtinës, një ditë njëra dhe një ditë tjetra, mund të përplasen diku. Por problemi më i rëndësishëm për ndërkombëtarët, problem nga i cili s’mund të dorëhiqen është marrëdhënia e pjesës shqiptare me serbët. Ky bashkim i partive shqiptare, përfshi dhe Vetëvendosjen, e kalon gjysmën e ulëseve të Parlamentit dhe pa përbërësen serbe. Vetëvendosja, e cila beson dhe shpreson shumë në fuqizimin e saj të shpejtë, ka premtuar se do ta mbështesë së jashtmi qeverinë, por ndërkohë ka vendosur kushte që do të alarmonin çdo ndërkombëtar. Nëpërmjet kësaj skeme, Vetëvendosja do të komandonte qeverinë e ardhshme pa marrë kostot e saj, duke vendosur kur të donte për zgjedhje të parakohshme, por dhe do tentonte të rritej nga ky rol prirës në proceset e Kosovës. E ka seriozisht Vetëvendosja në besimin se një qeveri si kjo pa serbët, dhe me kushte të forta si ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, anulimi i rezultateve të deritanishme, do miratohej nga ndërkombëtarët apo thjesht tallet me copat e tjera të opozitës, duke ndenjur larg derisa të vijë koha e vet?Përballë kësaj komedie të fundit të demokracisë së re kosovare që i ngjan një rebusi, ndërkombëtarët dje thjesht kanë heshtur. Por me siguri ata nuk do të heshtin nëse do të kemi përplasje me njëra-tjetrën të turmave të dëshpëruara që bërtasin emrat e kryeministrave që dëshirojnë në rrugët e Prishtinës, në mënyrë të alternuar apo të njëkohshme. Zgjidhja kushtetuese prej Presidentes është e largët sepse rezultatet duan kohë të certifikohen dhe situata nuk pret deri atëherë. Pra as që mund të mendohet se ndërkombëtarët do të heshtin një muaj rresht. Po si do ndërhyjnë? Në ç’formë? Duke shtyrë Gjykatën Kushtetuese të marrë qëndrim pasi të vihet në lëvizje? Kjo dhe mund të ndodhë dikur, por me gjasë opozita e ndërgjegjësuar me vonesë nuk do ta pranonte lehtësisht një vendim kaq politik të Gjykatës Kushtetuese më të fortë të botës, që ka rrëzuar dy presidentë brenda pak vitesh. Ekuilibrat politikë, ata institucionalë, por dhe ata ndëretnikë në një Kosovë që ka vetëm pak vite pavarësi, mund të lëkunden lehtë dhe për pasojë nuk gjenden dot as zgjidhje të lehta dhe as të shpejta për dilemat e rebusit kosovar.
Shtuar më 11/06/2014, ora 12:46
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori