Qëllimet e fshehta të Mrkiçit në Tiranë
Albeu.com
Prej ditës së djeshme dhe sot, ministri i Jasht-ëm serb, Ivan Mrkiç do të qëndrojë në Tiranë. Të bie në sy koha e zgjedhur për këtë vizitë, që përkon me takimin para disa ditësh të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Thaçi dhe Daçiç. Por, megjithëse këto dy momente – vizita e Mrkiçit dhe takimi i dy kryeministrave e ndikojnë njëri-tjetrin, ngjan se koha e zgjedhur për vizitën në Tiranë të kryediplomatit serb nuk ka lidhje me kohën e takimit në fjalë. Mrkiç do ta vizitojë Shqipërinë si pjesë e një turi në rajon, së bashku dhe me disa vende si Italia dhe Greqia, pra kjo vizitë ngjan e planifikuar shumë kohë më parë.
Thënë këtë, kjo vizitë ngjan se është një vizitë e kërkuar nga ministri i Jashtëm serb, dhe jo me ftesë të homologut të tij shqiptar, Panariti. Nuk ka asgjë të keqe në këtë fakt, sepse Shqipërisë i duhet të zhvillojë marrëdhënie normale me të gjithë fqinjët apo vendet e rajonit, sepse Serbia s’është më fqinja jonë e afërt. Por, nëse Mrkiç po vjen në Tiranë me iniciativë të vet “për të vendosur themelet e një bashkëpunimi të mirë”, pas shumë vitesh mungese vizite të një ministri të Jashtëm serb në Tiranë, siç deklaroi ai për mediat serbe, kjo do të thotë diçka me rëndësi. Diplomacia serbe i ka vendosur vetes disa qëllime, të cilat s’janë domosdoshmërisht në favor të mikpritësit. Dhe për të kuptuar qëllimet e kësaj vizite, le të nisemi nga axhenda e saj.
Nëse do të mbështetemi tek axhenda zyrtare e bërë publike nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, atëherë shikohet se ajo ka vetëm dy takime, atë të kryediplomatit serb me homologun e tij shqiptar Panariti, dhe një takim që në axhendë është quajtur takim kortezie me Kryeministrin Berisha. Vijon me një drekë zyrtare mes dy ministrave dhe delegacioneve përkatëse, dhe këtu vizita mbyllet. Nuk ka takim me Presidentin Nishani, takim që mund të ishte normal, sipas një standardi normal të Diplomacisë shqiptare, e cila i akordon ministrit të Jashtëm të një vendi fqinj, apo aq më shumë të përmasave të Serbisë, një takim protokollar me Presidentin e vendit, dhe zoti Nishani, sipas informacioneve të deritanishme, gjendet në Shqipëri. Që në mungesën e këtij takimi, një njohës i diplomacisë kupton se vendi ynë nuk ka dashur t’i japë përfaqësuesit të politikës së Jashtme serbe profil të lartë të vizitës. Këtë ngjan se Diplomacia jonë ka dashur ta bëjë ose nga ndrojtja për shkak të momentit në të cilin kryhet vizita, ose për shkak të mesazheve që dëshiron të përcjellë Ivan Mrkiç në vendin tonë, të cilat do të fitonin vizibilitet të madh nëse do të realizohej një axhendë kaq e plotë protokollare.
E cilat janë këto mesazhe që mund ta kenë kompleksuar palën shqiptare? Janë pak elementet në dorë të analizës nga jashtë institucioneve për të bërë supozime të drejta. Por diçka dhe mund të kuptohet.
Mesazhet e vizitës nisur nga dy axhenda paralele
A kanë lidhje këto mesazhe me takimin Thaçi-Daçiç? Ngjan se jo, sepse në përgjithësi Diplomacia serbe e institucioneve të reja të dyshes Nikoliç-Daçiç i është shkëputur tezës së paraardhësit Tadiç se për Kosovën do të preferonte të fliste me Tiranën. Me takimin Thaçi-Daçiç duket se kjo diplomaci për Kosovën po flet me vetë Kosovën. Po atëherë pse Mrkiç vjen në Tiranë? Si rregull, politikanët fqinjë, respektivisht udhëheqësit ndërkombëtarë të Kosovës apo udhëheqësit sllavë të Maqedonisë, vijnë me iniciativë të vet në Tiranë, kur kanë probleme me shqiptarët. Kështu ka ndodhur shpesh me shefin e prezencës ndërkombëtare Piter Feith, Kushner etj., komandantin e KFOR-it, me Kryeministrin, Presidentin maqedonas, të cilët kanë ardhur në Tiranë apo kanë bërë takime me homologët e Shqipërisë kur marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë apo në Maqedoni kanë njohur tensionim. Nëse do t’i shihnim të lidhura takimin e dy kryeministrave Thaçi me Daçiçin me vizitën e Mrkiçit, atëherë ngjan se kjo vizitë e dëmton palën serbe. Sepse administrata aktuale serbe, e vendosur në trysninë nacionaliste pse pranoi të takonte Thaçin, që më parë e etiketonte negativisht, po pranon të shkojë të takojë dhe autoritetet e Tiranës, duke faktorizuar shqiptarët në përgjithësi. Por kjo është një analizë jo e plotë.
Nëse nga njëra anë vizita në Shqipëri është pjesë e një turi në rajon, me objektivin për të rritur protagonizmin e Serbisë si faktor paqeje në Ballkan, siç thotë Mrkiç për mediat serbe, nga ana tjetër, në këtë vizitë duhet të priten surpriza, të cilat nuk kuptohen nga axhenda e vizitës së tij bërë publike nga Ministria jonë e Jashtme. Por, ama, diçka duhet të kuptohet prej kësaj axhende.
Së pari, vizita e Mrkiçit është shpallur si dyditore, dhe ndërkohë ka vetëm dy takime të shpallura si zyrtare. Mrkiç, sipas axhendës së shpërndarë, ka ardhur që dje dhe vetëm sot në orën 11:00 do të takohet me homologun e vet Panariti. A mos vallë ka kaq shumë kohë të lirë kryediplomati serb të rrijë në Tiranë? Jo, sepse nëse do të lexosh shtypin serb, që i referohet një axhende tjetër të shpërndarë nga Ministria e Jashtme serbe, më konkretisht agjencisë “Tanjug” anglisht, do të shikohet se ka dhe një takim tjetër, atë të djeshmin me përfaqësuesit e pakicës serbe në Shqipëri. Është pikërisht ky moment që ngjan se përfaqëson një qëllim tjetër kryesor të kësaj vizite. Ministria jonë e Jashtme duket se di diçka më shumë rreth këtij qëllimi, ndaj ngjan se ka dashur t’i rrijë larg kësaj pjese të vizitës, duke mos i dhënë karakter zyrtar. Sot mbase do të kuptojmë më shumë se çfarë mesazhesh do të hidhen në atë takim, apo në atë takim me përfaqësuesit e minoritetit serb, por që prej orës 14:30 të ditës së djeshme, për shkak të mungesës së mediave shqiptare në to, nuk dihet asgjë. Kjo është e paprecedent në historinë e takimeve të kryediplomatëve të huaj në Tiranë.
Po çfarë mund të diskutohet në këto takime që bëhen kaq në errësirë mediatike në tokën tonë? Diçka ka ditur dhe Ministria jonë e Jashtme apo institucionet tona kompetente që kësaj pjese të vizitës i kanë dhënë karakter privat. Por ky element protokollar, ama, nuk e shfajëson qeverinë tonë, e cila me këtë skemë ka toleruar vizita private të Kryeministrit maqedonas Gruevski në “minoritetin maqedonas të Gollobordës”. A mundet Kryeministri apo ministri ynë i Jashtëm të vizitojë, për shembull, shqiptarët e Prespës apo shqiptarët maqedonas të organizuar në një shoqatë, në mënyrë private?
Siç mund të kuptohet, gjatë këtyre viteve, veçanërisht me shumicën e drejtuar nga zoti Sali Berisha, në mënyrë të heshtur Serbia nuk ka punuar në territorin tonë vetëm për të rritur ndikimin në ekonomi, në energjetikë, në tregtinë e miellit, në ndërtim rrugësh apo informatizim shkollash me para publike, në shitblerje armësh, por dhe për krijim të minoritetit serb, më saktë zgjerim të tij. Ky zgjerim i tij në Libofshë, por dhe gjetkë madje, është toleruar në mënyrë të ngjashme me punën e maqedonasve në Gollobordë. Nëse përpara publikut ekstremist serb do të ngjante se kjo vizitë e Mrkiçit protagonizonte shqiptarët si komb, e vërteta ngushëlluese për ta ngjan se është e lidhur me përmasat e minoritetit serb në Shqipëri dhe aspiratat e ligjshme të tij. Nuk ka çudi që Serbia të formulojë më me forcë në takimet e sotme me Panaritin dhe Berishën, por dhe ndërkombëtarisht, pretendimet për këtë minoritet. Le të presim sot dhe të shohim a do të na japë koha të drejtë, por Diplomacia jonë duhet të jetë e përgatitur dhe të mos pësojë, por dhe të parandalojë.
Shtuar më 23/10/2012, ora 13:30
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori