Opozita dhe udhëheqësi i fundit komunist
Albeu.com
Mentor">Mentor Nazarko">Nazarko - Me votimin e fundit në Parlament, është qartësuar krejt dhe për të gjithë, se shkaktari kryesor për mosmarrjen e ftesës së BE-së, për statusin e kandidatit, është zotëri Sali Berisha. Opozita e drejtuar nga Edi Rama, e reduktoi kërkesën e saj themelore nga hapja e kutive, në hetimin e materialeve zgjedhore, duke i marrë ato drejtpërdrejt nga KQZ-ja, e jo duke pritur afatet e Arkivave. Kjo do të thotë se ajo e hoqi prej vetes një pjesë të fajit në moszgjidhjen e krizës. Në fillim të kësaj krize, një kërkesë e tillë dukej plotësisht e realizueshme, ndaj nëse qeveria ka ringrënë vazhdimisht të gjithë premtimet, atëherë fajtorja është ajo.
Të gjithë vendimmarrësit e BE-së thanë se nëse Shqipëria do ta kishte zgjidhur krizën e zgjedhjeve, do ta merrte ftesën së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë. Por Berisha e refuzoi këtë fitore strategjike të Shqipërisë në rrafsh rajonal. Të gjithë e mbajmë mend se me sa pompë, ai organizoi një udhëtim të vetin në Çeki, për të dorëzuar aplikimin, pak kohë para zgjedhjeve të 2009-s. Ishte periudhë që koincidonte dhe me privatizimin e OSSH-së tek kompania CEZ, diçka që mund të ketë kontribuar në bujarinë e komplimenteve të kreut çek për qeverinë e Shqipërisë, apo dhe në pranimin e përqafimit artificial të zotit Berisha para kamerave. Kështu, nëse aplikimi ishte një ditë historike, edhe marrja e kësaj ftese, pas aplikimit historik, duhet të ishte një ditë historike.
Duhet të ketë qenë vërtet diçka e madhe ajo që e pengoi zotin Berisha të na e hiqte nga dora këtë fitore historike dhe strategjike, që duke koinciduar me raportin e Dik Martit, do të shkëlqente më shumë si fitore. Aq e rëndësishme ka qenë arsyeja sa e pengoi zotin Berisha të mos dëgjonte as rekomandimet amerikane për zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve, të cilat morën forcë të madhe në gojën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Kantrimen. Praktikisht, Berisha nuk dëgjoi as Europën, as Amerikën të marrë së bashku, dhe ajo çka e ka shtytur duhet të jetë diçka unike, për të cilën ai nuk lëshoi pe para askujt.
Me refuzimin e hapjes së materialeve zgjedhore, praktikisht, zoti Berisha e çoi sërish Shqipërinë poshtë standardeve zgjedhore të Kosovës, bile ndërsa e shkruaj këtë fjali, u kërkoj ndjesë miqve kosovarë, që po krahasoj vendin e tyre me Shqipërinë sa u takon këtyre standardeve. Kosova zhvilloi në mënyrën më të qetë të mundshme rinumërimin e votave, në gati 40% të zonave, futi rivotimin në gati 10% të totalit të votave, dhe sikur të mos ishin veset e sjella nga Shqipëria, standardet e saj zgjedhore do të ishin shumë më lart se Shqipëria.
Sigurisht, autori kryesor i kësaj shmangieje nga boshti euroatlantik i Shqipërisë është kryeministri i vendit, i cili duke ndier këtë fajësim, ekzaltoi qëllimisht marrjen e vizave si fitore historike. Për fat të mirë, ky liberalizim, falë pjekurisë së shqiptarëve, pengesave të forta në kufijtë europianë, po kalon gjithashtu në mënyrë të qetë dhe jo me euforinë që ai donte të na injektonte me thirrjet e tij “drejt Europës”, si dikur “drejt detit”. Dhe ajo çka duket se e ka shtyrë të na mohojë fitoren historike, të na ulë dhe poshtë shtetit të ri të Kosovës për standarde të procesit elektoral, është manipulimi në atë shkallë i zgjedhjeve, që mund të zbulohet dhe prej hetimit të dokumentacionit zgjedhor. Përndryshe, pse do të kishte problem të “hapte xhepat”, i akuzuari si përvetësuesi i votave? Pavarësisht retorikës së bartësit në Parlament të skemave logorreike të drejtimit të plenumeve si dikur prej sekretarëve të Partisë, (e që i ngjante skemës nanoiste të KPD-së,) udhëheqësi i fundit komunist i Europës ka frikë nga hetimi i zgjedhjeve. Pohimi prej gojës së tij, se “ai është i fundmi udhëheqës komunist i Europës Lindore, dhe rri në pushtet prej dobësisë së opozitës”, ishte e vërteta më e madhe që ai tha në ligjërimin e tij të gjatë plot me përrallat e dy netëve të fundvitit 2010. Po, dobësia e opozitës, është shkaku kryesor i rikthimit dhe i qëndrimit të tij të gjatë në pushtet.
Gjatë këtyre vjetëve të mbretërimit të tij me cilësinë e kryeministrit, vendit i kanë ndodhur shumë fatkeqësi dhe opozita ka qenë shumë e dobët. Veriu është përmbytur disa herë, ndodhi Gërdeci, institucionet po bien në kontrollin e tij personal bashkë me ekonominë, dhe me gjithë korrjen e fryteve kombëtare të integrimit- vizat dhe NATO-n, Shqipëria po ecën mbrapa. Kjo opozitë nuk po arrin të ndërtojë një kurs normal të largimit nga pushteti të prijësit jetëgjatë. S’ka prioritizim të luftës politike, e cila u dominua nga beteja e hapjes së kutive dhe jo nga problemet reale të popullit. S’ka pasur krijim të frymës së ndryshimit anembanë vendit, veçanërisht në fshat, ku opozita humb jo vetëm prej manipulimit. S’ka pasur krijim të kësaj fryme veçanërisht tek të rinjtë, madje dhe tek ata që kanë votuar për herë të parë. S’ka një ligjërim të fortë të kreut të opozitës, por një ligjërim sloganesk, moralizues, i cili duket se nuk i shkon njeriut që ka shumë vite në krye të bashkisë më të madhe në vend. Denoncimi është atribut i disa zërave opozitarë dhe jo i të gjithë asaj. S’ka bindje të faktorit perëndimor se opozita është alternativa më e mirë. Ka dhe shumë arsye të tjera, që lidhen me dobësinë e mediave, shoqërisë civile, që madje është shumë më keq se në Kosovë, etj.
Parë kështu, në këtë shmangie nga kursi euroatlantik, nuk ka “meritë” vetëm ai që është në pushtet, por dhe opozita, që ja zgjat atij ditët e qëndrimit në pushtet. Që ndoshta mund të jenë akoma vitet e tjera të mbretërimit të udhëheqësit të fundit komunist në Europë. (panorama)
Shtuar më 29/12/2010, ora 09:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori