Dështimi me statusin e kandidatit në BE
Pëlqej
Albeu.com
Po forcohen sinjalet se Shqipëria do të marrë përgjigje negative në lidhje me kërkesën e saj për statusin e kandidatit në BE. Ky është një dështim i madh i kësaj qeverisjeje, me efekte në planin e brendshëm dhe atë rajonal. Nga ata që duhet ta marrin këtë vendim, por dhe nga ne, destinatarët e tij, pranohet se ky vendim mbështetet mbi kritere politike. Për pasojë, vendimi është kryekëput politik. Kjo e bën këtë vendim dhe pasojat e tij, më të rëndësishmin në marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kur ai të bëhet publik zyrtarisht, ky element mund të neglizhohet apo relativizohet prej qeverisë, duke u përpjekur të justifikohet me gjykimet e veçanta të vendeve anëtare, por e kundërta është e vërtetë.
Kur ky vendim të bëhet publik në 9 nëntor, me siguri qeveria do të thotë se opozita ka faj në këtë dështim, veçanërisht duke i atribuar asaj këmbënguljen në hetimin e zgjedhjeve, që ka çuar në mospjesëmarrje të opozitës në reforma të ndryshme politike. Por e vërteta duhet të jetë krejt ndryshe.
Marrja e statusit do të ishte e mundur para së gjithash nëse kjo qeveri do të lëshonte në zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve. Por që prej fillimit të kësaj krize, qeveria praktikisht nuk ka ndryshuar asgjë nga pozicioni i saj i korrikut 2009, ndërkohë që opozita ka lëshuar shumë. Por nuk janë vetëm zgjedhjet, megjithëse ato janë kapaku i artë i dështimit të Shqipërisë në këtë etapë të procesit të integrimit europian.
Dështimi eventual i Shqipërisë në lidhje me kërkesën e saj për anëtarësim nuk vjen ama vetëm prej moszgjidhjes së krizës politike. Arsyet e tjera të refuzimit të kërkesës që njoftohet prej Reuters, lidhen jo thjesht me dështimin e Shqipërisë në zgjidhjen e krizës politike, por dhe me kapacitetet administrative të dobëta, me dështimet në luftën ndaj korrupsionit, ndaj krimit, etj. Ky katalog dështimesh, përcaktuese për refuzimin europian, duket se përfaqësojnë dhe arsyet pse Qeveria e Shqipërisë po hesht në lidhje me kërkesën e saj të njoftuar me shumë bujë në prag të zgjedhjeve politike të 2009-s. Kjo qeveri, me heshtjen e saj, po tenton të injorojë rëndësinë e këtij momenti, duke u përpjekur për qëllime propagandistike që të lartësojë një ngjarje tjetër - liberalizimin e vizave. Në logjikën e qeverisë, e frymëzuar nga qëllime propagandistike, liberalizimi i vizave është diçka që ka efekte zgjedhore më të mëdha tek elektorati. Ama qeveria e PD-së po hesht, për një ngjarje që realisht është e painjorueshme. Sepse dhe ajo vetë ka afirmuar me forcë të kundërtën, veç një vit e gjysmë më parë: duke e konsideruar aplikimin si historik, ajo do të duhej të konsideronte si historik dhe pranimin e kërkesës. Ndërkohë, me të drejtë ne duhet të pyesim: po dështimi, ç'karakter ka?
Marrja e statusit të vendit kandidat duhet të ishte e mundur nëse kjo qeveri do të kishte zhvilluar reforma në të gjitha fushat që shqyrtohen prej ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Askush prej kësaj qeverie nuk mund të thotë se Bashkimi Europian, i cili përgatit për çdo vit dhe një Raport monitorimi apo progresi për çdo vend aplikant, nuk i njeh mirë arritjet e Shqipërisë. Bashkimi Europian përfaqëson organizatën më të pranishme në Shqipëri me qindra ekspertë në të gjitha fushat, përveç që asistohet nga misionet diplomatike të të gjithë vendeve anëtare. Pra, duhet thënë se kjo qeveri praktikisht ka dështuar në reformat e veta, diçka e certifikuar nga BE-ja. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë të shënueshme në këtë drejtim. Nëse Shqipëria do të kishte arritje në të gjithë drejtimet që shqyrtohen për marrjen e statusit të kandidatit, atëherë ajo s'do kishte asnjë problem në liberalizimin e vizave, pasi një pjesë e kërkesave janë të përbashkëta.
Marrja e statusit të kandidatit ka dhe pasoja rajonale për Shqipërinë, siç e kemi theksuar në artikuj të mëparshëm. Shqipëria do të mbetet më mbrapa Serbisë, Malit të Zi dhe eventualisht Maqedonisë, në këtë proces. Ndërkohë, siç është përpjekur të na mbushë mendjen vetë qeveria në qershor 2009, ndërsa lëkundej për të aplikuar që më herët, Shqipëria do të merrte këtë ftesë në nëntor bashkë me këto vende fqinjë. Por mbi të gjitha, Shqipëria mbetet prapa Serbisë, vend që me veton e saj do të ketë mundësi të kushtëzojë anëtarësimin e Shqipërisë. Ky avantazh strategjik i Serbisë do të ketë pasoja negative për shqiptarët që do të shihen më vonë.
Si e arriti Serbia këtë avantazh? Këtu duhet të hyjmë tek një plan tjetër diskutimi që lidhet me pjesën tjetër të shqiptarëve, Kosovën. Serbia bëri lëshime të mëdha kundrejt saj, duke pranuar një rezolutë të Bashkimit Europian, të miratuar në OKB, nëpërmjet të cilës ajo e njeh indirekt pavarësinë e Kosovës. Pra, nëse Serbia për të arritur objektivin aktual në procesin e integrimit,- statusin e kandidatit-, hoqi dorë nga Kosova, që e konsideronte territor të saj, po qeveria e Shqipërisë, pse nuk hoqi dorë nga pozicionet fikse thellësisht pragmatike, thellësisht partiake që lidhen me hetimin e zgjedhjeve? Është ky moment që zhvleftëson gjithë propagandën eventuale të kësaj qeverie në lidhje me dështimin e saj në procesin e integrimit. Serbia konsideroi si interes kombëtar marrjen e statusit të kandidatit, ndërsa ne jo.
Dhe një konsideratë tjetër në lidhje me shqiptarët si komb në marrëdhëniet e tyre me Evropën. Serbia do të marrë statusin e kandidatit, sepse pranoi rezolutën e OKB-së, përgatitur prej BE-së, dhe bisedimet eventuale në pozita të barabarta me Kosovën. Po Kosova çfarë fitoi? Ndoshta do të ishte e udhës që klasa politike kosovare të vendoste një kusht të vogël që të ulej në bisedime: të impononte hapjen e bisedimeve me BE-në për liberalizimin e vizave, me pranimin e negociatave me Serbinë. Hapja e bisedimeve të Kosovës me BE-në do të ishte një ngushëllim i vogël për kombin shqiptar në këtë kontekst rajonal që do të krijohet në nëntor prej vendimeve të pritshme të Komisionit Europian. Shqipëria do humbë, por të paktën 9 nëntori të sillte një lajm të mirë për Kosovën.
Shtuar më 04/11/2010, ora 14:19
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori