Bilanc lufte nga tërmeti në Indonezi, të paktën 56 viktima dhe mbi 700 të plagosur

Një tërmet i fuqishëm ka goditur gjatë ditës së sotme Java-n e Indonezisë, ku ka lënë të vdekur rreth 56 persona dhe qindra të plagosur.

Lajmin e bënë të ditur mediat e huaja, të cilat raportojnë se tërmeti me magnitudë 5.6 goditi qytetin Cianjur në Java-n perëndimore, në një thellësi të cekët prej 10 km (gjashtë milje), sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA.

Videot në mediat sociale treguan se disa ndërtesa janë kthyer pothuajse tërësisht në rrënoja dhe mbeturina të shpërndara në rrugë.

Zyrtarët paralajmërojnë për pasgoditje të mundshme dhe thonë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Zona ku goditi tërmeti është me popullsi të dendur dhe të prirur për rrëshqitje dheu, me shtëpi të ndërtuara keq. Ekipet e shpëtimit janë përpjekur të evakuojnë njerëzit nga ndërtesat e shembura dhe kanë arritur të shpëtojnë një grua dhe foshnjën e saj, sipas raporteve lokale.

Herman Suherman, kreu i administratës në qytetin Cianjur, i tha Kompas TV “56 persona u vranë”.

“Viktimat vazhduan të vinin nga shumë zona,” tha ai. “Rreth 700 persona u plagosën”.

Më herët, agjencia e lajmeve AFP e citoi atë të thoshte se shumica e lëndimeve ishin fraktura të kockave të marra nga njerëzit e bllokuar nga mbeturinat në ndërtesa.

“Ambulancat vazhdojnë të vijnë nga fshatrat në spital”, tha ai. “Ka shumë familje në fshatra që nuk janë evakuuar.

Ai tha se nevojiteshin më shumë punonjës shëndetësorë për t’u marrë me numrin dërrmues të pacientëve dhe se energjia elektrike në zonë ishte në rënie, duke i lënë mjekët në spitalin kryesor të paaftë për të operuar pacientët.


Shtuar 21.11.2022 14:03