Zvarritet hetimi ndërkombëtar për “Rastin Kumanova”
33 të dënuarit e të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës” ende nuk e kanë pranuar aktgjykimin në gjuhën shqipe. Krejt kjo për shkak të zvarritjes që po bëhet në përkthimin e aktgjykimit prej 700 faqesh.

Avokati i 12 prej tyre, Naser Raufi e ka quajtur të qëllimshme, mos përkthimin e aktgjykimit për tashmë 3 muaj. Sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë që një aktgjykim të mos përkthehet për 100 ditë, ndonëse ajo çështje merr kohë pothuajse vetëm një javë.

Raufi ka thënë se pikërisht çështja e përkthimit nuk po lejon që lënda të shkojë në Gjykatën e Apelit.

“Kemi problemin e përkthimit, ende nuk është përkthyer aktgjykimi që ka 700 faqe. Jemi duke pritur që tre muaj, prej kur është shpallë aktgjykimi para vitit të ri. Kam bërë ankesë në Komitetin e të Drejtave të Njeriut, nuk ka ndodhë deri tash që të mos mund të përkthehet aktgjykimi. Të akuzuarit nuk e kanë pranuar aktgjykimin, sepse duhet ta pranojnë atë në gjuhën shqipe, dhe kjo është problemi që nuk mund të shkojë lënda deri te Gjykata e Apelit”, ka deklaruar Raufi.

Ai ka thënë se me pranimin e aktgjykimit, të dënuarve u lejohet të ndërrojnë burgun dhe të kalojnë diku me kushte më të mira. Andaj, ka bërë me dije Raufi, është drejtuar ankesë edhe tek Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

“Sipas meje është e qëllimshme, sepse kur ta pranojnë aktgjykimin, ata kanë të drejtë të lëvizin në një burg tjetër, ku janë më komod dhe ku janë kushtet më të mira. Këtë e bëjnë me qëllim sepse ka përkthyes të gjuhës shqipe dhe kanë mundur ta bëjnë përkthimin për më së largu një javë. 100 ditë jemi duke prit rrafsh. Si palë mbrojtëse e kemi aktgjykimin maqedonisht, kurse të akuzuarit as shqip as maqedonisht, bile maqedonisht as nuk e pranojnë sepse nuk e kuptojnë, ky është problemi teknik që nuk na lejon të shkojë lënda te gjyqi i Apelit”, është shprehur ai për Indeksonline.

Raufi ka shtuar se nëse deri të martën nuk e pranojnë aktgjykimin në gjuhën shqipe, do të ankohen edhe në organizata tjera, përfshirë edhe atë të Amnesty International.

Ndërsa, sa i përket kërkesës për një hetim ndërkombëtar, Raufi ka bërë me dije se nuk ka akoma asnjë përgjigje rreth kësaj çështja, përpos që kanë kërkuar që të involvohet edhe Prokuroria Speciale.

Kujtojmë se më 2 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkupit iu ka shqiptuar dënimin me burg të përjetshëm tetë pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, derisa të tjerët u dënuan prej 10 deri në 20 vjet burg. Kjo, për shkak të konfliktit të armatosur në maj të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë.
Shtuar më 07/04/2018, ora 14:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori