ZGJOHU! reagon për demonstratën në Shqipëri
Lëvizja Qytetare ZGJOHU! shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e demonstratave të dhunshme të 21 janarit në Tiranë. Kjo lëvizje siç thuhet “dënon në mënyrën më të ashpër dhunën talibaneze të shfaqur në bulevardin krenar të dëshmorëve që ranë për një Shqipëri me të cilën të gjithë shqiptarët do të krenohen”.

Lëvizja ZGJOHU! respekton të drejtën për të demonstruar dhe për të ngritur zërin e pakënaqësisë kundër politikave qeverisëse, por ZGJOHU! në asnjë mënyrë nuk pranon shfrytëzimin e pakënaqësisë popullore për përmbysjen e dhunshme të shtetit si dhe marrjen e pushtetit me dhunë në një demokraci të shekullit 21 dhe në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë.

“Asnjë aferë koruptive, asnjë parregullësi zgjedhore, asnjë pakënaqësi nuk justifikon dhunën që vonoi liberalizimin e vizave dhe po e bën të pamundur marrjen e vendimit për të marrë statusin vend kandidat për anëtarësim në BE. ZGJOHU! është e tmerruar nga dhuna në një vend anëtar të NATOs dhe nga lehtësia e sulmit ndaj organeve të rendit dhe institucioneve të shtetit dhe fton për përgjegjësi organizatorët e protestave të cilët nuk gjetën guximin të vihen në ballë të protestave që vet i thirrën, por shfrytëzuan pakënaqësinë e popullit të lodhur nga partitë politike”, theksohet nw reagim.

Sipas ZGJOHU! imazhi i shqiptarëve gjithandej buron nga Tirana zyrtare dhe skenat e 21 janarit shkundin themelet e shqiptarëve kudoqofshin dhe dobësojnë pozicionet tona të cilat po sulmohen çdo ditë nga përpjekjet e dashakeqësve që janë vënë në shërbim të shërbimeve serbe nëpërmjet botimit të raporteve shpifëse dhe trilluese ose prodhimit të dosjeve inkrimuese për t’i kriminalizuar shqiptarët dhe për t’a lehtësuar coptimin e Kosovës.

ZGJOHU! fton edhe mediat të luajnë rolin e vet konstruktiv në këto kohëra determinuese për fatin e shqiptarëve në Ballkan dhe të japin kontribut në forcimin e Shqipërisë, për të cilën shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë dhe diasporës kanë shumë nevojë. (ina)
Shtuar më 21/01/2011, ora 20:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori