Zgjidhja e emrit, Cipras do marr parasysh qëndrimin e Kishës greke
Pëlqej
Kryeministri grek, Aleksis Cipras i garantoi Kishës Greke se do ta marrë parasysh qëndrimin e saj në negociatat për emrin.

Mediat greke raportojnë se kjo ishte përgjigja e kryeministrit ndaj qëndrimit të palëkundshëm të Kishës se nuk do të pranonin që një tjetër kishë pos asaj greke të quhet maqedonase, kërkesë kjo e cila bëri bujë dhe nxiti debat të gjerë në shtetin fqinj.

"Më lejoni të ju garantoj se Qeveria ime është e vendosur t’i qaset çështjes me përgjegjësi nacionale, në mbrojtje të fuqishme të interesave nacionale, me aspirata për paqe, bashkëpunim dhe miqësi me të gjithë popujt e rajonit. Seriozisht do ta marrim parasysh gjithë atë që e thoni rreth aspektit kishtar të çështjes. Ndërsa para së gjithash, me çështjen do të menaxhojmë me përgjegjësinë që na e ka dhënë Kushtetuta e popullit grek, në frymën e dialogut dhe unitetit nacional", deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Dimitris Canakopulos nga ana tjetër tha se pozita e Greqisë është e qartë se do ta pranonte një propozim me përdorim të përgjithshëm, respektivisht erga omnes, vetëm nëse Shkupi heq dorë nga irredentizmi. Madje tha se do gjejnë gjuhë të përbashkët edhe me partnerin e koalicionit, Grekët e Pavarur dhe se kjo e fundit nuk do të jenë pengesë për zgjidhje.

"Qeveria garanton se do të ekzistojë zgjidhje vetëm në rast se ka angazhim të qartë nga ana e fqinjëve tanë se do t’i lënë pas vetes qëndrimet irredentiste dhe ultra-nacionaliste, të cilat në të kaluarën janë përdorur nga ana e tyre edhe në negociata edhe në ndërtimin e vetëdijes nacionale. Këto gjëra nuk mund të pranohen nga ana greke", tha Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.

Kryetari i Parlamentit grek, Nikos Vucis dhe zv/ministri i jashtëm, Jorgos Katrugalos janë optimistë për zgjidhjen e çështjes.

"Jemi vonuar shumë vite dhe tani kur ekziston korrelacion i ndryshëm i forcave politike dhe qëndrimeve në IRJM, kemi mundësi të rëndësishme që nuk duhet ta lëshojmë. Jam optimist", u shpreh Nikos Vucis, Kryetar i Parlamentit të Greqisë.

"Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje që do të jetë e pranueshme dhe do të ketë mbështetje, jo vetëm nga partneri jonë i koalicionit por edhe i shumicës së forcave politike në Parlament", tha Jorgos Katrugalos, Zv/Ministër i jashtëm.

Lideri i partisë opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis nga ana tjetër kërkon sqarim për takimin e djeshëm sekret mes shefave të diplomacive të të dyja vendeve.

"Nuk dimë çfarë bisedojnë, për çfarë negociojnë, nuk dimë çfarë kanë dhënë e çfarë kanë marrë. Nuk dimë asgjë. Ftoj Qeverinë që në mënyrë të përgjegjshme ta informojë opozitën për çështjen e rëndësishme rreth emrit të Shkupit dhe përfundimisht t’i japë fund diplomacisë sekrete. Gjithashtu, kërkoj nga Qeveria që të ndalojë së ndari grekët dhe të ndalojë së etiketuari si e djathtë radikale të gjithë njerëzit që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj çështjes", deklaroi Kyriakos Micotakis, Demokracia e Re.

Më 17 janar në Nju Jork grupet negociuese do të takohen me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimic. Në takim palët pritet të ofrojnë propozime për zgjidhjen e kontestit.
Shtuar më 12/01/2018, ora 16:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori