Zgjidhet kryetar i ri i Këshillit gjyqësor
Gjykatësi suprem Kiro Zdravev është kryetari i ri i Këshillit gjyqësor. Në frymën e zgjedhjeve presidenciale, anëtarët e këtij trupi votuan në mënyrë të fshehtë prapa kabinës, ndërsa fletëvotimet i vendosnin në kuti të zgjedhjeve. Pasi që përfundoi votimi dhe zgjedhja, Zdravev në deklaratën e parë në rolin e kryetarit të Këshillit gjyqësor, ishte i rezervuar lidhur me raportin e PSP-së se katër gjykatës – Jovo Vangellovski, Svetllana Kostova, Sofija Laliçiq dhe Aleksandra Zafirovska kanë punuar sipas diktatit politik. Nuk dha përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrin.

Paralajmëroi se në vjeshtë do të fillojnë t’i përpunojnë parashtresat që i janë dorëzuar Këshillit, siç shkruan Aslat, e që kanë të bëjnë me veprimin e pandërgjegjshëm të gjykatësve.

“Gjithçka që është ngritur para Këshillit Gjyqësor si parashtresë për përcaktimin e përgjegjësisë së cilitdo, pavarësisht nëse është gjykatës, kryetar gjykate, e aq më tepër anëtar i Këshillit Gjyqësor, kryetar i Këshillit Gjyqësor, këto procedura duhet doemos t’i përfundojmë”. – tha Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor

Zëvendëskryetar u zgjodh Selim Ademi. Atij mandati i skadon në tetor, ndërsa është zgjedhur anëtar me propozim të Kuvendit.

Kiro Zdravev në këtë post vjen në vend të Zoran Karaxhovskit, të cilit i skadoi mandati. Ndryshe, ky trup i cili avancon dhe shkarkon gjykatës, heton veprimin e pandërgjegjshëm te shefi i Supremes, Jovo Vangellovski, si dhe kolegët që e liruan nga paraburgimi biznesmenin Sead Koçan që të mbrohet në liri dhe ia anuluan paraburgimin.
Shtuar më 25/04/2019, ora 17:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori