Zgjidhet drejtuesi i shoqatës të gazetarëve në Maqedoni
Këshilli Drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dje mbajti mbledhje konstituive ku miratoi interpretimin autentik të dispozitave të Statutit të SHGM-së në lidhje me Kuvendin zgjedhor, sipas të cilit kryetari i Shoqatës Mlladen Çadikovski ishte zgjedhur në mënyrë legjitime me shumicën e votave të anëtarëve të rregullt të pranishëm gjatë votimit.

Përveç kësaj, Këshilli konstatoi se gjatë mbajtjes së Kuvendit nuk është marrë asnjë ankesë në lidhje me procesin e votimit nga anëtarët e pranishëm ose nga anëtarët e Komisionit Verifikues dhe Komisionit Zgjedhor. Të gjitha palët që kanë ndonjë dyshim rreth procedurës së zgjedhjeve mund të përdorin mjetet juridike që i kanë në dispozicion.

Në mbledhjen konstituive të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të gjitha vendimet u miratuan njëzëri. Vendimi për të konfirmuar legjitimitetin e zgjedhjes së kryetarit të SHGM-së është bërë me konsensus të të gjithë anëtarëve të KD, ndërsa kryetari Mlladen Çadikovski nuk ishte i përfshirë në votimin për këtë vendim. Gjatë mbledhjes Filana Koka ishte e propozuar dhe e zgjedhur njëzëri për zëvendës kryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Anëtarët mbajtën një debat konstruktiv me qëllim të arritjes së qëndrimeve të përbashkëta në mënyrë që SHGM të vazhdojë të promovojë parimin e solidaritetit si një parim themelor të bashkësisë tonë.

Këshilli Drejtues bëri thirrje për konsolidimin e anëtarëve për të ruajtur dinjitetin dhe unitetin si parime kryesore për mbrojtjen e interesave të të gjithë anëtarëve të SHGM-së. Këshilli konstatoi se për të gjitha mendimet e ndryshme nevojitet forum i përforcuar për debate, duke pasur parasysh faktin se të dy kandidatët për kryetar programet e tyre i kishin të bazuar në përfshirjen sa më të madhe të anëtarëve në punën e Shoqatës nëpërmjet të seksioneve të propozuara. KD propozoi të diskutohet me të gjitha grupet e interesuara në esnafin dhe të formohen seksione që do t’i përfaqësojnë interesat e grupeve specifike.
Shtuar më 18/12/2018, ora 10:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori