Zgjedhjet në Maqedoni me 29 maj ose 5 qershor
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare planifikohen të mbahen më 29 maj apo 5 qershor, bën të ditur agjencia e lajmeve INA duke u thirrur në burime qeveritare.

Këto dy data nga ana e partive të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI janë diskutuar dhe po shqyrtohen si dy alternativa për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe pse deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje me opozitën, e cila ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve, në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e saj para zgjedhjeve.

VMRO-DPMNE pretendon se ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga opozita lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e Kodit zgjedhor, përveç dy kërkesave atë për zhbllokimin e llogarive bankare për TV A1 dhe gazetat e afërta me këtë televizion si dhe kërkesën për ndarjen e barabartë të mjeteve financiare për fushatat qeveritare për mediat, e cila duhej të plotësohej pas zgjedhjeve nëpërmjet një debati të hapur.

Nga ana tjetër, LSDM deklaroi se nuk bëhet fjalë se opozita dëshiron bojkotin e zgjedhjeve, por sipas tyre, kryeministri Nikolla Gruevski dëshiron zgjedhje pa opozitën.

Partitë politike shqiptare gjithashtu janë shprehur të gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në mesin e tre partive politike shqiptare BDI, PDSH dhe DR ka munguar uniteti për të shtruar çështje për të kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve.
Shtuar më 24/03/2011, ora 09:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori