Zëvendësoi Rexhepin, ja kush është kreu i ri i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni
Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut sot shkarkoi nga detyra kryetatin Sulejman Rexhepi.

Në vend të tij për ushtrues detyre u caktua Shaqir Fetahu, kryetari i deritanishëm i Myftinisë së Gostivarit.

Vetë Shaqir Fetahu lexoi vendimin pas mbledhjes së mbajtur në myftininë e Gostivari. Ai tha se vendimi hyn në fuqi dhe se ka përkrahjen unanime të myftinive.


Por kush është Prof. Shaqir Fetahu? Ai u lind më 25 Prill të vitit 1959, në fsh. Çegran – Gostivar.

Gjatë mbarimit të shkollës fillore, respektivisht në moshën 15 vjeçare arrin të kryejë edhe hifzin e Kur’anit Famëlartë, nën udhëheqjen e imamit të xhamisë “Loke” të fshatit Çegran, rahmetli H. Hafiz Kebir ef Mahmudi.

Me të kryer shkollën fillore regjistrohet në Shkollën e Mesme Islame Medreseja “Alaudin” në Prishtinë, të cilën me sukses e kryen në vitin 1980. Po në të njëjtin vit vazhdon studimet në Fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilin poashtu me sukses e kryen në vitin 1984.

Pas kryerjes së Fakultetit të shkencave islame në Sarajevë punësohet në fsh. Çegran si imam dhe mualim, dhe në bazë të rezultateve të treguara gjatë kësaj kohe, emërtohet si ligjërues në SHMI “Medreseja Isa beu” – në Shkup, ku si ligjërues punon plotë 10 vjet, kryesisht si ligjërues i lëndës Apologjetika islame (Akaidii), lëndën e Imamatit (Lënda e mënyrës së kryerjes së detyrës së imamit), Lëndën e Vaz-daves (Retorika islame) dhe Tefsirin (Komentimi i Kuranit).

Në vitin 1994 emërtohet Drejtor i Sektorit për shkencë e kulturë islame pranë BFI në RM, pastaj plot katër vite kryen edhe detyrën e Sektorit fetar – arsimor, derisa në vitin 2001 zgjidhet mufti i Muftinisë së Gostivarit, të cilën detyrë me suksesin më të madh e kryen edhe sot.

Prej ditëve të para në Medresenë e “Alaudin” në Prishtinë fillon të merret me shkrime duke i botuar ato në Gazetën e Shoqatës së nxënësve të medresesë me emrin “Nur”. Ka botuar mbi 150 artikuj edhe në Gazetat si: “Dituria Islame”, “Hëna e re”, “Flaka”, “Fakti”, “Vepra”, “Drita islame”- Tiranë, “Lëvizja islame”- Gostivar, etj.
Prej ditëve studentore, përveç shkrimeve si autor, është marrë me përkthime edhe atë ka qenë anëtarë i grupit për përkthimin e veprës së Rozhe Garodit me titull.

"Islami kultura dhe socializmi”, të botuar në Sarajevë, pastaj botoi veprën origjinale me titull “Feja fenomen i vërtetë”, botuar nga BFI – në Shkup, “Akaid – I”, pastaj “Gjashtë kushtet e besimit”, që të dyja këto libra janë botuar nga Komuniteti mysliman në Tiranë, vitin e kaluar nga shtypi doli edhe vepra e fundit e tij, me titull “Islami – Porosi hyjnore”, dhe tani është gati për botim vepra e radhës “Drejtimi racionalist në Islam – Mu’tezilijët”.

Është iniciatori kryesor i hapjes së Paraleles së shtrirë të vajzave në Gostivar, si dhe për momentin Koordinator i saj, e hapur në vitin shkollor 2008/ 2009 – Degë e SHMI – “Medreseja Isa beu” – Shkup Është pjesëmarrës i disa seminareve, konferencave dhe simpoziumeve në vend dhe jashtë.

Për aktivitetin e tij të bujshëm jetësor ka marrë mirënjohje të ndryshme nga institucione , shoqata dhe ente të sferave të ndryshme, në veçanti duhet theksuar Dekoratë “Myfti Vebi Dibra” që ndahet nga Reisul Ulema Haxhi Sulejman ef Rexhepi në nivel të BFI, në RM si dhe Dekoratën e fundit qe ju nda nga Akademia internacionale e shkencave sociale në Florida na SHBA (Internacional Academi of Social Sciences (IASS), USA. etj. Tashmë ka kryer provimet postdiplomike në USHT, në Fakultetin Filozofik -Dega e Historisë në Tetovë. Është prind i tre fëmijëve./Koha


Shtuar më 27/05/2020, ora 17:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori