Zbulohet rrjeti maqedonas që prodhonte Fake News
Marten Shenk, “Gjuetar i lajmeve të rreme” nga Belgjika, ia ka dalë të zbulojë një rrjet të qytetarëve maqedonas që përhapin lajme të rreme, e që nuk ka të bëjë me adoleshentët nga Velesi, ka lajmëruar korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Marten Schenk dhe ueb faqja “Nieuwscheckers.nl” me muaj të tërë kanë gjurmuar nëpër rrjetet maqedonase të lajmeve të rreme, që “u bënë të famshme” gjatë fushatës presidenciale në SHBA.

Asokohe mediat botërore ishin përplot me storje për adoleshentët maqedonas nga Velesi, të cilët kishin shkruar lajme të rreme të fokusuara në sulme ndaj kandidates Hillary Klinton dhe Partisë Demokratike. Por, kurrë nuk u zbulua se kush, nëse ka qëndruar prapa tyre dhe në çfarë mënyre ka qëndruar prapa tyre.

Por, sipas Shenk, linja e Velesit nuk është aspak në qendër të këtij rrjeti.

Sipas hulumtimeve të tij, që sot janë në faqet e para të të gjitha mediave belge, figura qendrore e këtij biznesi është anëtar i ARM-së, Slagjan “Cago” Bojkovski nga Kumanova. Bojkovski pretendon se nuk është edhe më tej punësuar në Armatë, por Shenk nuk ia ka dalë ta vërtetojë këtë dhe ende thotë se ka dyshime.

Hulumtimet e belgut zbulojnë se rrjeti i Bojkovskit, tashmë disa vite ka krijuar përmbajtje të rreme dhe bombastike në internet, të cilat kanë filluar me storje për motorë dhe me gjinj të zhveshur, por kjo nuk iu kishte sjellë mjaft para, sqaron Shenk. Prandaj, së shpejti, Bojkovski dhe bashkëpunëtorët e tij u janë kthyer storjeve kundër myslimanëve dhe teorive të ndryshme të konspiracionit, për pedofili dhe, natyrisht, në favor të Donald Trump. Me një lajm të rremë ata kanë fituar rreth njëqind euro në ditë .

Shenk ka krijuar një softuer të quajtur “Trendolizer”, përmes të cilit mund të monitorohet se cilat storje në internet bëhen virale. Nëse vërteton se storja është lajm i rremë, ai kalon në kontroll të fakteve në faqen e tij “Leadstories”. Falë softuerit, Shenk pastaj shqyrton se nga cili server është publikuar lajmi dhe më së shpeshti ia del të zbulojë se cilit i takojnë serverët. Kështu, ai vitin e kaluar ka zbuluar një rrjet të lajmeve të rreme nga Gana.

Rrjeti maqedonas ka qenë gjithashtu biznes familjar. Me Bojkovskin ka punuar edhe bashkëshortja e tij, Natasha, imazhi i së cilës mund të gjendet në profilet e rreme në Twitter sikur i takon “Moly Anderson”, siç tregojnë print-skrinet e Shenkut. Nëpërmjet programit të tij, belgu ia ka dalë të gjejë dhjetëra profile që kanë shpërndarë lajmet e njëjta të rreme në internet, në të njëjtën kohë. Emrat e profileve të rreme zakonisht janë emra amerikanë si Xhesika, Ema, ​​Moly, Xhoni dhe shumica e tyre tashmë janë pezulluar. Janë pezulluar edhe ueb faqet në të cilat janë publikuan lajmet e rreme, si tapainfo.com ose tvrtinfo.com. Fotografitë që janë përdorur në profile kanë qenë kryesisht të yjeve të Ballkanit si Stanija Dobroeviq ose Viktorija Lloba.

Slagjan Bojkovski në Twitter e ka përdorur pseudonimin e tij “Cago” me lokacion në Çikago dhe ka botuar “përzierje të lajmeve të rreme dhe autentike”, shpjegon Shenk. Kjo llogari ndërkohë është suspenduar nga Twitter.

Shtuar më 21/01/2019, ora 09:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori