“Alibeaj doli si ministër i Ramës”, Berisha: Dështoi në mbledhjen e sotme, deputetët nuk janë të ndarë

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje Enkelejd Alibeajt, i cili sot mblodhi Grupin Parlamentar. Sipas Berishës, ai sot dështoi dhe më pas doli duke folur për mediat si ministër i Ramës.

Berisha është kundër idesë, që deputetët janë të ndarë në tre grupime, pasi pretendon se ata që nuk morën pjesë në Kuvendin e 30 prillit janë në meditim dhe shumë shpejt do ti bashkohen shumicës opozitare.

“Dështoi plotësisht, nuk realizoi asgjë në mbledhje, deputetët ja kundërshtuan qëndrimet dhe doli sikur të ishte një ministër i Edi Ramës.

Nëse ju keni konceptin e partisë, partia ka forume dhe përfaqësohet nga forumet e zgjedhura të saj. Çdo deputet ka në parti një vend anëtar kryesie në degën nga e cila ka ardhur.

Nuk është e vërtetë që deputetët janë në tre grupe. Ata janë deputet të PD-së dhe të jesh i sigurt që të gjithë do jenë në aktivitetet e PD.

Janë akoma në meditim, por vendi i tyre është tek shumica. Erdhën sot në atë takim që nuk arriti dot kuorumin, ai dështoi. I bindur jam se progresivisht deputetët do të jenë tek shumica. Unë kam besim në botëkuptimin e tyre politik.

Ata janë të lirë, ka tek tuk si ky, po ato janë punë të tjera pastaj, ato janë analet e zeza të çdo shoqërie dhe të çdo shteti.  Pra nuk ekzistojnë tre grupe, por ekziston një grup parlamentar me probleme që do zgjidhen”, tha Sali Berisha në emisionin “Open” në News24.