Zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit, bazë për stabilitetin në Maqedoni
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, Kryeministri Gruevski i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, duke nënvizuar se të dyja vendet kanë një plan strategjik të përbashkët për integrimin në strukturat euroatlantike.

Kryeministri maqedonas vuri në dukje se qeveria e tij po vazhdon reformat e përgjithshme për të përmbushur standardet evropiane dhe nënvizoi se me përpjekje të përbashkëta dhe dialog po synojnë të sheshojnë diferencat që ekzistojnë në vend në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Maqedonisë.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani theksoi se për Shqipërinë është me rëndësi të madhe stabiliteti i Maqedonisë.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni në drejtim të zhvillimit të demokracisë dhe konsolidimit të institucioneve duke përsëritur qëndrimin e tij se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është bazë për një stabilitet të qëndrueshëm dhe standarde evropiane në Maqedoni.

Ndër të tjera, Presidenti Nishani i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si shembull të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Si Presidenti Nishani edhe Kryeministri Gruevski ndanë të njëjtin mendim se mes dy vendeve tona duhet nxitur më tej bashkëpunimi në fushën ekonomike, turizëm, energjitikë dhe infrastrukturë, dhe se duhet shfrytëzuar pozicioni i favorshëm gjeografik për unifikimin e tregut ndërmjet dy vendeve dhe daljen në tregun rajonal e më gjerë. /albeu.com/
Shtuar më 23/11/2012, ora 19:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori