Flasin vazhdimisht në publik, por a kanë ndonjë ndikim real “skifterët” e Rusisë?

Nga Alexandra Prokopenko “The Moscow Times”

Sa më gjatë të vazhdojë pushtimi rus i Ukrainës, aq më protagoniste është pala që e mbështet luftën në Rusi. Vështirë se mund të kalojë një ditë pa një deklaratë të fortë nga “skifterët”, pra rusët që janë haptazi ultra-patriotë, anti-perëndimorë, siç është edhe udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, biznesmeni Yevgeny Prigozhin apo ish-presidenti Dmitry Medvedev.

Të tre këta e kanë përdorur mbështetjen e zëshme ndaj luftës për të rritur profilin e tyre publik. Por a kanë fituar më shumë ndikim? Sepse tek e fundit, në regjimin aktual rus, rëndësia e një personi përcaktohet jo nga aktiviteti i tyre mediatik, por vetëm nga një njeri: presidenti rus Vladimir Putin.

Në fillim të “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, elita ruse u nda në 2 kampe, ata që e mbështesnin luftën dhe ata që donin paqen. Ky i fundit përbëhej nga shumë teknokratë të regjimit, ata pak liberalë të mbetur ende brenda sistemit dhe biznesmenë me ndikim.

Ata u tronditën nga shpërthimi i luftës, por shumë shpejt e panë veten në pozitën e atyre që përpiqeshin të zbusnin pasojat e saj. Vështirë se ndonjëri prej tyre u shpreh publikisht kundër luftës. Përkundrazi, media dominohej nga kampi pro-luftës, i përfaqësuar kryesisht nga Kadyrov, Medvedev, Prigozhin, kryetari i Dumës Ruse Vyacheslav Volodin, dhe kreu i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar Andrei Turchak.

Brenda këtij kampi nuk ka asnjë hierarki dhe as një grup të konsoliduar. E përbashkëta midis tyre është se ata janë nxitës të mbështetësve aktivë të fushatës ushtarake të Rusisë dhe të guximshëm në sulmet e tyre ndaj Perëndimit.

Secili prej tyre, po i shfrytëzon ndjenjat ultra-patriotike për qëllimet e veta, duke garuar për të treguar se kush është “skifteri” më i madh mes tyre. Në një kohë kur Putini takon personalisht pak njerëz, këta burra kanë gjetur një mënyrë për të mbetur në vëmendjen e tij: duke u shfaqur vazhdimisht në artikujt e mediave dhe të kanaleve Telegram, të cilat kabineti ia vendos çdo mëngjes para tavolinës presidentit rus.

Para luftës, posti aktual i ish-presidentit Medvedev si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, rrallë bëhej kryefjalë e mediave. Por në mars, pas fillimi të pushtimit të Ukrainës, Medvedev krijoi një kanal të tij në platformën Telegram, nga ku kërcënon rregullisht, bën thirrje për përshkallëzimin e konfliktit, dhe përdor gjuhë vulgare ndaj Ukrainës dhe liderëve perëndimorë.

Postimet e tij publike kanë mesatarisht mbi 2.25 milionë shikime: një audiencë, që shumë media vetëm mund ta ëndërrojnë. Ai përmendet shpesh nga mediat ruse dhe të huaja, dhe popullariteti i tij, që mezi ishte rreth 20 për qind para luftës, është rritur aktualisht në 40 për qind.

Njerëz pranë ish-presidentit, thonë se toni dhe fjalori i përdorur nuk janë aspak në përputhje me Medvedevin, duke i lënë ata të çuditur nga transformimi i tij i dukshëm. Ka të ngjarë që ai ta ketë ndjerë se një ndryshim i imazhit mund të rritë shanset e tij për të kandiduar sërish për president një ditë.

Një shans që para luftës dukej inekzistent. Tani ai përflitet si një kandidat konsensual për pjesën më të moderuar të elitave ruse. Retorika e ashpër e Medvedev, është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e Putinit, nëse presidenti vendos sërish të emërojë një pasardhës përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Ndërkohë edhe Kadyrov, tashmë një figurë tepër e diskutueshme shumë kohë përpara nisjes së luftës, po e shfrytëzon konfliktin dhe mjetet mediatike që ka disponon në përpjekje për të forcuar pozicionin e tij mes elitave ruse.

Ai është i vetmi drejtues rajonal që i lejon vetes të flasë hapur, (dhe shpeshherë) për çështje që janë në fakt shumë përtej kompetencave të tij, siç është politika e jashtme. Madje ai ka shkuar aq larg sa ka kritikuar ashpër Ministrinë ruse të Mbrojtjes, për të cilën ka marrë disa kritika më të buta nga Kremlini.

Para luftës, kanali në Telegram i Kadyrov kishte vetëm 60.000 ndjekës, dhe ishte kryesisht i përkushtuar ndaj rolit të tij zyrtar. Që kur e ktheu vëmendjen tek lufta në Ukrainë, audienca e tij është rritur në 3 milionë ndjekës. Ambiciet e Kadyrov e kanë tejkaluar prej kohësh postin e tij si një udhëheqës rajonal.

Por për të shkuar më lart se kaq, atij do t’i duhej më shumë mbështetje nga elitat. Dhe shumë njerëz nga qarqet ushtarake dhe të sigurisë janë kundër idesë së përparimit të tij në karrierë. Tani, retorika ultra-patriotike e liderit çeçen – për të mos përmendur batalionet çeçene që luftojnë në vijën e frontit në Ukrainë – e kanë çuar Kadyrov në krye të përmbledhjeve të zhvillimeve në Telegram që i përgatiten pë t’u lexuar nga presidenti.

Sulmi i vazhdueshëm i Kadyrov ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, është mbështetur në mënyrë aktive nga biznesmeni Yevgeny Prigozhin, i cili tashmë ishte përfshirë në një konflikt me ministrinë para luftës për shkak të përfundimit të kontratave të saj me kompaninë e tij të hotelierisë “Concord.”

Në Ukrainë, mercenarët e Grupit Vagner, kanë rezultuar të jenë disa nga divizionet ruse më të afta në aspektin luftarak. Kohët e fundit u raportua se një “person i ngjashëm me Prigozhin” kishte shkuar nëpër burgjet ruse, duke rekrutuar të dënuar për të shërbyer si mercenarë. Meqenëse ligjet ruse nuk përmbajnë dispozita për hyrjen në objekte të sigurisë së lartë dhe nxjerrjen e të burgosurve, rekrutimi i tyre duhet të jetë miratuar nga shefi i Kremlinit. Në dallim nga Medvedev dhe Kadyrov, Prigozhin nuk ka një kanal në platformën Telegram. Megjithatë, ai ka një grup të tërë asetesh mediatike – duke përfshirë një ushtri trollësh në internet – që sigurohen që ai të mos jetë asnjëherë larg lajmeve, dhe për rrjedhojë, edhe raporteve mediatike që i paraqiten Putinit nga stafi i tij.

Është e vështirë të dallosh ndonjë rritje reale të ndikimin të atyre që pozicionohen në kampin e radikalëve. Ata po përpiqen që ta shtyjnë Putinin në një korridor të ngushtë të përshkallëzimit të luftës, duke kërkuar që ai të shtojë veprimet në fushën e betejës.

Por nuk ka asnjë shenjë se Putini po i dëgjon ata. As Kadyrov dhe as Prigozhin nuk marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit. Asnjë nga të dy nuk zotëron vetitë e rëndësishme që kërkohen, në mënyrë që të shihen nga elitat ruse si njëri prej tyre. Shndërrimi i popullaritetit në media në një ndikim të vërtetë, nuk ishte diçka e lehtë në kohë paqeje, dhe nuk është as në kohë lufte.

Dmitry Rogozin është një shembull i mirë i asaj që mund të ndodhë me segmentet më radikale që paraqesin konfrontim. Ish-kreu i Roscosmos, agjencisë hapësinore ruse, shkruan vazhdimisht postime në Twitter dhe citohet vazhdimisht nga mediat. Por ai nuk ka pasur punë që nga vera e këtij viti.

/albeu.com


Shtuar 12.11.2022 13:56