Zbardhet data kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore për president
Kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), pas grumbullimit të më së paku 10 mijë nënshkrimeve, kandidaturën e tyre, deri më 21 mars, duhet ta dorëzojnë për konfirmim në Komisionin Shtetëror Zgjedhore (KSHZ). Pas kësaj, më 1 prill fillon zyrtarisht fushata zgjedhore.

Nënshkrimet i kanë grumbulluar kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, kandidati i pavarur, Blerim Reka dhe kandidati i përbashkët i 30 partive politike në koalicion, Stevo Pendarovski.

Pas kontrollit të Listës Zgjedhore nga qytetarët, ajo i dorëzohet partive

Më 14 mars ka mbaruar afati për kontrollim të Listës Zgjedhore nga qytetarët e RMV-së, ndërkaq KSHZ-ja më së voni deri më 19 mars duhet Listën Zgjedhore t’ua dorëzojë për kontroll partive politike, të cilat kanë të drejtë që të kërkojnë fshirje apo plotësim të të dhënave. Pas parashtrimit të kërkesave nga partitë politike, KSHZ-ja ka afat treditor që të veprojë në bazë të tyre, në rast të kundërt, partitë politike kanë të drejtë ta padisin KSHZ-në në Gjykatën Administrative.

Kontrolli përfundimtar i Listës Zgjedhore, përfshirë kërkesat e të gjitha palëve, duhet të përmbyllet më 29 mars.

Më 1 prill zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore

Megjithëse që të tre kandidatët që kanë grumbulluar 10 mijë nënshkrimet në terren kanë nisur aktivitetet për të tërhequr votën e qytetarëve, fushata zyrtare presidenciale duhet të fillojë më 1 prill, kurse duhet të përfundojë më 19 prill. Se çfarë numri rendor do të kenë kandidatët në fletëvotim, KSHZ-ja do të vendos më 25 mars.

Personat e sëmurë dhe me nevoja të veçanta do të votojnë më 20 prill.
Shtuar më 18/03/2019, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori