Zbardhet biseda bombë, çfarë flet Gruevski për PDSH-në
Me reproduksionin e 8 “bombave” të papublikuara në Gjykatën Penale si replikë të dëshmive të mbrojtjes, ka vazhduar gjykimi në lëndën “Titanik 2”.

Dy bisedat e para janë mes ish kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe kryeredaktorit të televizionit “Sitel”, Dragan Pavlloviq – Llatas.

“Ke breking njuz. Ka ankesë për Kërçovën. Do të ketë votim të ri dhe mundësi të re”, i thotë Gruevski Llatasit 3 minuta para mesnatës.

Në bisedën e radhës mes të dyve, disa minuta pas mesnatës, më 28 mars të vitit 2013, Gruevski i thotë Llatasit se po merren vesh me PDSH-së që ata t’i përkrahin kundër Zaevit

“Prej kësaj bëjmë dramë 3 ditë”, e fillon bisedën Gruevski me Llatasin.

“Po merremi vesh me PDSH-në, ata të na përkrahin, që t’ia hedhim Zaevit”, i thotë me disponim Gruevski Llatasit.

Rasti “Titanik 2” ka të bëjë me parregullsi zgjedhore të zgjedhjeve lokale në vitin 2013 në Strumicë. Të akuzuar janë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, por edhe ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.

Gjykatësit e Gjykatës Administrative Biljana Nikodinovska – Petrovska, Lidija Ivanovska, Bllagorodna Rangellova, Aneta Xhigerova dhe Gazmend Fejzula nuk janë përfshirë në akuzë edhe pse me kërkesë të gjykatëses Verka Petkovska, Këshilli Gjyqësor ua ka marrë imunitetin, ndërkaq Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e PSP-së për akuzën me çka ata kanë qenë të përfshirë.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, penalisht janë përgjegjës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete do të jetë përgjegjës për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”. Kjo është akuza e katërt për Mijallkovin pas “Arkës”, “Target-Fortesa” dhe “Tortura”.

Nga “bombat” e publikuara të LSDM-së, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.
Shtuar më 24/12/2018, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori