Zbardhen bisedat e Mirsad Ndrecajt me personazhe publike në Maqedoni: T'ia nisim luftës
Gazetari maqedonas Zoran Bozhinovski publikoi në portalin e tij "Bure Vesnik" biseda të Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt me personazhe publike në Maqedoni.

Mes bisedave të publikuara, është edhe ajo ndërmjet Mirsad Ndrecajt dhe kryetarit të degës së BDI-së në Çair, Bekir Asani. Në komunikimin me SMS mes dy bashkëluftëtarëve, Ndrecaj fton Asanin "t’u bashkëngjitet atyre për të nisur një luftë në Maqedoni", citon Zhurnal.

Ndrecaj i thotë Asanit "vish uniformën dhe le t’ia nisim luftës", por Asani këshillon që lufta të fillojë së pari në Mitrovicë dhe më pas në trevat e tjera.

Në bisedë nuk thuhet asgjë konkrete për zhvillimet që do të pasonin më vonë.

Gazetari maqedonas citon edhe disa biseda shokësh mes Ndrecajt dhe Rizajt nga të cilat mësohet se që të dy kanë qenë në një krizë financiare, aq sa Ndrecaj thotë se "nuk ka të holla për të shlyer detyrimet për energjinë elektrike". Si pasojë, Ndrecaj dhe Rizaj vendosin të kërkojnë borxh nga Bekir Asani duke i kërkuar atij të marrë familjen dhe të vijë në Gjakovë ose në Prishtinë për një takim, ku do të diskutonin për paratë, një borxh ky që duhej të jepej për angazhimin e tyre si truproja gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2008-ës.

Ndrecaj dhe Rizaj ishin angazhuar si truproja të BDI-së në kohën kur vepronte grupi i Agim Krasniqit në kohën që në qeveri ishte PDSH dhe që përbënte rretik për opozitën e atëhershme.

Por paratë që BDI u detyrohej dy luftëtarëve të Dukagjinit nuk u ishin dhënë të gjitha, ndaj ata në fillim të këtij vitit vendosin t’ia kërkonin Bekir Asanit.

Mes bisedave, është edhe një tjetër ndërmjet Ndrecajt dhe Xhezair Shaqirit, Komandant Hoxha, por ndryshe nga ajo me Bekir Asanin, kjo është më tone jomiqësore.

Ndrecaj akuzon Hoxhën se "po gënjen njerëzit duke u dhënë fjalën për një luftë". Ai i thotë Hoxhës se nuk ka luftuar kurrë dhe se ka ngelur në Tanushë, duke pritur ta ndihmojnë pushtetarët shqiptarë të Shkupit. /albeu.com/


Shtuar më 23/07/2015, ora 09:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori