Zaevi harroi s’i u bë kryeministër – harroi edhe premtimet për shqiptarët!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka thënë se deri më tani ka dhënë prova të mjaftueshme për të marrë besimin e votës shqiptare. Ai ka shkuar edhe më largë duke theksuar se është maqedonasi i parë që lufton hapur për shqiptarët. “Kam shenja në fytyrë për këtë, por jam krenar. Kam humbur disa vota maqedonase, por kjo është e ardhmja e këtij vendi multietnik”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, diferenca me qeveritë e tjera në të kaluarën qëndron tek fakti se janë kryer “shumë ndërhyrje në infrastrukturë, pa pyetur kush jeton aty, çfarë besimi kanë. Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Kur i pyesni shqiptarët ata thonë qartë se e duam këtë vend, por tani e ndjejmë se edhe vendi na do ne. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë trajtohen si të barabartë”.

Kryeministri Zaev deklaron edhe që ai mendon se tashmë në sondazhet që i përkasin pjesës shqiptare, ai qëndron “më mirë se Ali Ahmeti, Zijadin Sela, Bilall Kasami, Afrim Gashi, liderë të partive politike shqiptare”.

Shqiptarët e bënë Zaevin kryeministër e Pendarovskin president

Zoran Zaev nuk duhet të harrojë se falë shqiptarëve ai është sot kryeministër i Maqedonisë së Veriut, prandaj vazhdimisht duhet të rikujtohet në këtë gjë dhe mos të abuzojë metë drejtat e shqiptarëve.

Nëse rikthehemi dhe kujtojmë kohën kur LSDM kishte fituar dy deputetë më pak se VMRO DPMNE dhe për këtë arsye nuk mund të merrte mandatin nga presidenti i shtetit, ishin pikërisht partitë shqiptare që i thyen të gjitha rregullat e pashkruara duke mos pranuar të bëjnë koalicion qeverisës me partinë e ish kryeministrit Gruevski.

Në Maqedoninë e Veriut atëbotë kishte filluar procesi i demontimit të një pushteti kriminal, i cili e kishte shndërruar shtetin, në parti dhe në duart e disa individëve të papërgjegjshëm. të cilët e sollën buzë greminës këtë

Qeveria u zgjodh për të përmirësuar gabimet e qeverisjes autokratike të maqedonasve të cilët abuzuan dhe shkelën shqiptarët. Zoran Zaev duhet ta dijë mirë se shqiptarët e ndihmuan që ta mundë Nikolla Gruevskin, kështu që ashtu siç e përmbysën politikën antishqiptare të Gruevskit, shumë lehtë mund edhe atë ta ndëshkojnë nëse do mashtrojë dhe nuk do i përmbahet konceptit të demokratizimit të Maqedonisë së Veriut. Besimi kthehet nëse në vendbanimet shqiptare shohim projekte konkrete pasi investimet në vendbanimet shqiptare janë shumë të vogla. Shqiptarët i dhanë shans Zaevit dhe ai është mirë që mos të abuzojë me këtë.

Edhe Pendarovski u bë president falë votave të shqiptarëve dhe koalicionit që partia e tij LSDM e kishte me partitë shqiptare në pushtet.

Pengesa të qëllimshme për zbatimin e gjuhës shqipe

Zaev gjatë ardhjes në pushtet një prej kërkesave kryesore që e pranoi nga partitë shqiptare ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Por, truqet e politikanëve maqedonas nga partia e tij, krijuan kaos të qëllimshëm, vetëm e vetëm që të pengojnë implementimin e gjuhës shqipe.

Në janar të vitit 2019 qeveria e Maqedonisë e dërgoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Komisionin e Venecias. Ligji ishte dërguar si i plotë në përmbajtje, ndërsa në kërkesë është përfshirë edhe teksti alternativ me nenin 8, dispozitat e të cilit kanë të bëjnë me gjuhën shqipe në banknota, letrat me vlerë dhe uniformat e ushtrisë dhe policisë. Kryeministri Zoran Zaev atëherë theksoi se çdo rekomandim që do të dalë nga Komisioni i Venecias, do të përfshihet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Para se ligji të dërgohej në Komisionin e Venecias, kërkesa e partive shqiptare në qeveri ishte se Ligji i Gjuhëve nuk duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias, ose edhe nëse dërgohet të dërgohet vetëm pjesa që kishte të bëjë me dilemën nëse gjuha shqipe mund të përdoret në uniformat e policisë e ushtrisë si dhe në banknotat dhe letrat me vlerë, por Qeveria vendosi të mos i përfillë këto kërkesa.

Komisioni i Venecias në pikën 99 të projekt konkluzionit të shpërndarë në internet shkruan se: “Shumë dispozita të Ligjit të Gjuhëve i tejkalojnë standardet evropiane të definuara në Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Kartës Evropiane për gjuhë rajonale dhe të pakicave”.

Nuk u publikuan rastet që dëmtojnë shqiptarët

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev para se të bëhej kryeministër kishte paralajmëruar publikimin e përgjimeve më të rëndësishme, si rastin “Monstra”, “Nikolla Mlladenov”, çështjen e emrit dhe të tjera.

Ai pat premtuar edhe zbardhjen e incidentin në Gushincë dhe tentimet për destabilizimin e vendit duke theksuar se ka të dhëna se bëhet fjalë për skenar të pushtetit.

Por deri më sot, ai ende nuk ka arritur të gjejë kryerësist e vërtetë të këtyre rasteve të rënda e që janë ngarkesë për popullin shqiptarë.

Zona ekonomike në Tetovë ende e pazhvilluar

Larg finalizimit ka mbetur edhe pjesa infrastrukturore që përbënë nyjën lidhëse me zonën e lirë ekonomike në Tetovë që duhej të realizohej nga qeveria.

Pas premtimeve pompoze për punësimet e shumta që do të bëhen në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, nuk dihet edhe sa vite do të duhen për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike, pa përmendur këtu edhe sa vite shtesë do të duhen për sjelljen e investuesve dhe ndërtimin e fabrikave për punësimin e njerëzve!

Zona e lirë ekonomike në Tetovë, jo vetëm që nuk ka arritur që të sjellë ndonjë investim me vlerë, por deri derri më tani, duket si një zonë e braktisur.

Maqedonia Lindore mbetet zona me ekskluzivitet të plotë në thithjen e investimeve të jashtme, por edhe me prioritetin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme nga ana e qeverisë për një gjë të tillë. Rajonet me komunat dërmuese shqiptare janë pjesë e diskriminimit të dyfishtë në aspektin ekonomik, këtë tregon numri i kompanive të jashtme që investojnë në vend. /zhurnal.mk/
Shtuar më 30/11/2019, ora 17:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori