EMRAT/ Vdekja e punëtorit 19-vjeçar te porti i Durrësit, tre të arrestuar

Policia ka arrestuar përgjegjësin e turnit në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit, Rendi Biçaku, manovratorin e makinerisë, Nazmi Varaku dhe kryemekanikun e ofiçinës, Bledar Troplini, për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë, pas vdekjes së 19-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:

-R. B., 27 vjeç, me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit.

-N. V., 64 vjeç, me funksion manovrator i makinerisë.

-B. T., 42 vjeç, me funksion kryemekanik i ofiçinës.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë sepse, për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Sheshi i Kontenierëve” në portin e Durrësit, punonjësi i kësaj firme, shtetasi R. B. është aksidentuar me pasojë vdekjen, nga një mjet pune i kësaj firme, që po drejtohej nga shtetasi N. V.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com