Thyen tabunë 32-vjeçare, lojtari anglez tregon për herë të parë orientimin e tij

Jake Daniels, futbollisti i Blackpool, klub i Championship në Angli ditën e sotme ka dhënë një intervistë për faqen e klubit, teksa ka folur pa dorashka edhe për orientimin e tij seksual.

“Dua që të gjithë të njohin versionin tim të vërtetë, jam gay” kështu e nisi deklaratën e tij sulmuesi 17-vjeçar.

“Sa i takon fushës së lojës, ky sezon për mua ka qenë fantastik. Firmosa kontratën e parë si profesionist, ndërsa në sektorin e të rinjve shënova 30 gola duke arritur shumë suksese. Por, sa i përket aspektit jashtë fushës së lojës, unë kam fshehur veten time të vërtetë. Kam gjithë jetën time që e di se jam gay dhe tani mendoj se jam gati ta ndaj këtë me të gjithë. Për të guxuar dhe zbuluar seksualitetin tim jam inspiruar nga sportistë si Josh Cavallo, Matt Morton apo edhe atletë të tjerë. Kam mbështetje të madhe nga familja, klubi dhe menaxheri im.

Edhe shokët në sektorin e të rinjve janë treguar mbështetës dhe më kanë shtyrë të flas të vërtetën para të gjithë botës. E urreja faktin se duhet të gënjeja dhe të fshihesha për të gjithë jetën. Unë dua të jem një model, ndoshta ka nga ata të cilët nuk ndihen rehat për të folur të vërtetën. Por, i them të gjithëve të mos ndryshojnë dhe të tregohen vetvetja, kjo është më e rëndësishmja”, u shpreh Daniels.

Sakaq, Daniels është futbollisti i parë që flet hapur për seksualitetin e tij nga viti 1990, teksa në atë kohë ishte Justin Fashan, ish-lojtari i West Ham. /h.ll/albeu.com


Shtuar 16.05.2022 21:00