Zaev-Rama: Diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve
Pëlqej
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev mbrëmë në Shkup u takua me kolegun e tij shqiptar Edi Rama, ku dhe shprehën angazhimet për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe për sigurimin e kushteve për integrime euroatlantike në mbarë rajonin.

Siç njoftoi pres-shërbimi qeveritar i Qeverisë së Maqedonisë, Rama, i cili në Shkup merr pjesë në Samitin 100, gjatë takimit, kryeministrin Zaev e uroi për zbatim të zgjedhjeve lokale dhe demokratike.

“Rezultatet nga zgjedhjet janë erë në kurriz për agjendën demokratike, si dhe mbështetjen e politikave reformuese që hapin perspektiva. Ato janë fitore e konceptit një shoqëri për të gjithë, që i bashkoi qytetarët. Do të bëjmë gjithçka që duhet që ta arsyetojmë besimin dhe të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha kryeministri Zaev.

Zaev dhe Rama konstatuan se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira politike, pa çështje të hapura dhe se është kjo bazë e mirë për intensifikim të bashkëpunimit në drejtim të zbatimit të standardeve evropiane, bashkëpunimit ekonomik, si dhe sigurimit të kushteve për integrime euroatlantike të gjithë rajonit.

“Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë edhe t’i zhvillojë marrëdhëniet e mira fqinjësore përmes frymës miqësore, me çka edhe më tej do të kontribuojë për zhvillimin rajonal si dhe me qëllim të hapjes së perspektivave të NATO-s dhe BE-së, të cilat janë qëllime strategjike të shtetit”, deklaroi kryeministri Zaev.

Në takim janë shqyrtuar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe është vlerësuar se pjesëmarrja e përbashkët në Samitin 100 në Shkup është dëshmi për vullnetin politik për zhvillim të bashkëpunimit rajonal ekonomik, për ndërlidhje të bashkësive të biznesit, investime të përbashkëta, rrjetëzim dhe ndërlidhje transportuese.

Është shprehur edhe pritje se BE-ja do t’i njohë dhe mbështesë angazhimet e shteteve nga rajoni për thellim të bashkëpunimit të nevojshëm rajonal dhe për integrim në BE, por edhe për nevojat e vetë qytetarëve nga rajoni.

Gjithashtu, në takimin e mbrëmshëm është arritur marrëveshje edhe që të intensifikohen aktivitetet për seancë të përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe të Shqipërisë në kohë më të afërt.


Shtuar më 17/10/2017, ora 08:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori