Filipçe: Plani për kthim në normalitet është gati

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp informoi se Komisioni për Sëmundje Infektuese ka përgatitur planin për kthimin gradual në normalitet.

Ai tha se protokollet që janë përgatitur nga ekspertët dhe komisioni, do të prezantohen gjatë javës së ardhshme, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka përgatitur të gjitha protokollet për funksionimin e shumë segmenteve shoqërore, operatorëve ekonomik, fabrikave, transportin publik. Javës tjetër do të zyrtarizohen pas konsultimeve finale me të gjithë segmentet e prekura me qëllim që të dëgjojmë sugjerime eventuale, pas së cilës do të prezantojmë në opinion. Sipas meje këto janë zbutje e ndalesave”, tha Filipçe.

Ai shtoi se i gjithë plani do të zbatohet në mënyrë graduale.

Ditë më parë Filipçe tha se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të të infektuarve nga coronavirusi, por shtoi se tanimë shteti ka përvojë dhe do të jenë të përgatitur për gjithçka.


Shtuar 30.04.2020 14:07