Xhaferri ministër, fansat akuzojnë Gruevskin (FOTO LAJM)

Kryeministri Nikolla Gruevski është vënë në shënjestër të kritikave të ashpra nga përkrahësit e tij në rrjetet sociale, pas emërimit të Talat Xhaferrit për ministër të mbrojtjes, i cili është i njohur si "Komandant Forina" i Brigadës "Tahir Sinani" të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë vitit 2001.

Në profilin zyrtar të kryeministrit Gruevski në Facebook janë shprehur pakënaqësi dhe akuza lidhur me emërimin e Xhaferrit si ministër të mbrojtjes. Shumica e përkrahësve dhe anëtarëve të partisë së tij VMRO-DPMNE kanë theksuar se nuk pajtohen me këtë vendim dhe janë të zhgënjyer nga VMRO-DPMNE, që sipas tyre ka qenë partia më nacionaliste e maqedonasve.

"Ka nisur ndërtimi i garazhit shumëkatësh Ringu i Vogël, ndërsa Talati bëhet ministër i mbrojtjes", "Zotëri kryeministër gjithmonë kam qenë anëtarë dhe aktivistë i VMRO-së së bashku me familjen time. Por a duhej që komandant Forina të bëhet ministër i mbrojtjes. A nuk kishte ndonjë tjetër. Unë turpërohem tani që jam anëtar i partisë suaj?", "Nuk e di, nuk po mundem të qetësohem me këtë fakt dhe të kuptojë se si një komandant i UÇK-së të bëhet ministër", "Ky gabim do ti kushtojë VMRO-DPMNE dhe Maqedonisë. Legjitimiteti juaj si parti më nacionaliste dhe në mbrojtje të interesave maqedonase po rrënohet me këtë".

Këto kanë qenë disa nga komentet e shkruara nga ana e lexuesve dhe përkrahësve të kryeministrit dhe VMRO-DPMNE. Një pjesë e lexuesve janë ankuar se u janë shlyer komentet e tyre nga profili i kryeministrit Gruevski në Facebook.

Emërimi i Talat Xhaferrit për ministër të mbrojtjes ka nxitur reagime të ashpra edhe nga shoqatat e "Branitellave". /albeu.com/
Shtuar më 20/02/2013, ora 11:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori