Xhaferri: "Emri", ja propozimet që nuk i pranojmë
Çdo propozim tjetër për zgjidhjen e kontestit të emrit, përveç atij “Sllavomaqedonia”, “IRJM” ose “Maqedonia Nacionale”, është i hapur dhe i debatueshëm për ne. Nuk është e vërtetë se shqiptarëve nuk u intereson emri me të cilin do të emërohet në të ardhmen shteti i tyre.

Këto janë ndër theksat kryesorë të intervistës për Radion Evropa e Lirë (REL) të zëvendëskryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferri.

Veç kontestit të emrit, njeriu i dytë i Qeverisë së vendit, ka folur gjerësisht edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, punësimet në këtë bazë, shkurtimet e të punësuarve në nivel lokal dhe raportin me partnerin e koalicionit, VMRO-DPMNE.

I pyetur për kontestin e shumëdiskutueshëm, Xhaferri ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur të tij dhe të BDI-së, se do të pranonin një zgjidhje kompromisi të arritur mes Shkupit dhe Athinës, pa harruar, ndërkaq, edhe marrëdhëniet fqinjësore me vendet e tjera në rajon.

“Nëse brenda këtyre marrëdhënieve fqinjësore, ka dhe çështje të hapura, ato do të duhej të zgjidheshin përmes dialogut dhe kompromisit. Në këtë e sipër, BDI nuk prejudikon se cila është zgjidhja. Nuk e bën dot këtë gabim”, thotë Xhaferri.

Sipas tij, përgjegjësia për të zgjidhur këtë kontest që ka bllokuar vendin, i takon padyshim parive në pushtet, por Xhaferri nuk përjashton as obligimin që kanë ndaj këtij kontesti edhe partitë e tjera politike, sektori civil dhe e mbarë shoqëria.

Nëse VMRO-DPMNE ka sens për apelet, lidhur me këtë çështje, që lëshon kohë pas kohe BDI, Xhaferri përgjigjet se partneri i koalicionit ka posi vesh për të dëgjuar, dhe se pikë dalluese mund të jetë vetëm qasja me të cilën trajtohet kjo çështje.

Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, përgjegjësi kryesor për zbatimin e saj, rikonfirmon angazhimin dhe përcaktimin e Qeverisë për të realizuar çdo germë dhe frymën e saj, duke mohuar zërat se për këtë dokument nuk ka pasur më herët analizë nga Qeveria.

Xhaferri thekson se raportet janë përgatitur në vijimësi, porse nuk kanë dalë për debat në publik, e duke folur për raportin e dhjetëvjeçarit si një obligim nga Bashkimi Evropian, zëvendëskryeministri thotë se ai paraqet një bazë të mirë për të ndryshuar perceptimin publik dhe qasjen ndaj këtij dokumenti që garanton bashkëjetesën në vend.

Por, zëvendëskryeministri vijon më tej në intervistë, duke iu përgjigjur interesit të REL-it për çështjen e gjuhës shqipe, duke thënë se është i nevojshëm plotësimi i ligjit dhe jo i Kushtetutës, për të arritur një nivel të kënaqshëm të përdorimit zyrtar të shqipes.

“Nëse një gjë mund të rregullohet me ligj, atëherë nuk ka nevojë për ndryshimin e Kushtetutës”, është decid Xhaferri.

Ai mohon më pas edhe zërat që qarkullojnë për administratorët e “papunë”, të cilët thuhet të marrin paga dhe qëndrojnë në shtëpi, duke sqaruar se bëhet fjalë për një numër i vogël të punësuarish, të cilët presin sistemimin e tyre në vendet e punës, si një proces që kërkon kohë./albeu.com/
Shtuar më 30/06/2013, ora 13:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori