Xhaferri: 1912-2012, vitet e përfundimit të Rilindjes Kombëtare
Pas meshës së mbajtur në Shtëpinë Memoriale të Nënës Terezë për nder të babait të saj, Kolë Bojaxhiut, themelues i korit “Zani i Maleve”, aktivitetet për shënimin e 100-vjetorit të Çlirimit të Shkupit kanë vijuar me promovimin e pullës postare “Zani i Maleve”.

Me këtë rast, zv/kryeministri Musa Xhaferri u është drejtuar të pranishmëve në këtë solemnitet, ku po marrin pjesë eksponentë të politikës e kulturës shqiptare, duke folur për veprën e patriotëve Hasan Prishtina, Isa Boletini e Bajram Curri, duke e cilësuar më pas periudhën 1910-1912, si një fillim i një faqeje të re, të një shkalle më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, njofton Zhurnal.

“Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare, të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e më pas të pavarur shqiptar. Kështu do të përmbusheshin aspiratat kombëtare të të gjithë popullit shqiptar. Kryengritjet e viteve 1910-1912 përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u finalizua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912”, ka thënë Xhaferri.

Gjithë kjo ecuri dëshmon për zhvillimin e ndërgjegjes politike kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, pa dallime krahinore, ka vijuar zv/kryeministri, duke u thirrur në intervistën e Shefqet Turgut pashës dhënë gazetës “Progrès de Salonique”, ku thotë se “Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 ishte një kryengritje thjesht shqiptare mbi baza kombëtare”.

“Ashtu si Kryengritja e vitit 1911, edhe ajo e vitit 1912, që njihet si kryengritja e përgjithshme shqiptare, doli me një program kombëtar të përparuar, i parashtruar në të pesë pikat e Kuvendit të Junikut. Kjo kryengritje u kurorëzua me çlirimin e Shkupit ku ne sot shënojmë këtë datë ndërsa vet mënyra e pritjes së kryengritësve nga ana e popullsisë , me një orkestër muzikore të cilët sot po e përkujtojmë edhe më promovimin e pullës postare, me motive të këtij grupi të formuar nga patrioti Kolë Bojaxhiu enkas për pritjen e trupave shqiptare, si dhe rrjedha e ngjarjeve historike të mëvonshme në këtë qytet për Lëvizjen Kombëtare , siç ishte Kuvendit I Shkupit disa muaj më vonë , domosdoshmërishtë dëshmojnë rëndësinë e kësaj date respektivisht 12 gushtit në historinë tonë kombëtare”, ka theksuar Xhaferri.
Shtuar më 12/08/2012, ora 17:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori