Xhaferi paralajmëron Ivanovin: Ligji për gjuhën shqipe hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin tënd
Duke folur për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, si çështja më e diskutuar në Maqedoni, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, është shprehur se sistemi i një demokracie parlamentare parashikon edhe mundësitë alternative për rrugëdalje nga ky bllokim i ligjit.

Siç thekson Xhaferi, ”Kushtetuta e vendit sanksionon mundësinë që kreu i shtetit për projektligje të caktuara, që votohen në Parlament, të ketë të drejtën e vetos për çështje të caktuara, por sipas tij, ajo nuk nënkupton që presidenti të ketë veto absolute”.

Ai rikujton se kushtetuta sqaron se në rivotim, pas kthimit të ligjit nga kreu i shtetit, ky i fundit është i detyruar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit në fjalë. Kreu i shtetit dhe kryetari i Parlamentit, së bashku janë dy personat që dekretojnë aktin për shpalljen e ligjeve, por sipas Xhaferit, “Parlamenti ka kompetencat ligjvënëse dhe sipas logjikës kushtetuese dhe demokracisë parlamentare vullnetin e Parlamentit nuk mund ta cënojë asnjë institucion tjetër, pa marrë parasysh kompetencat e mundshme që ka në këtë drejtim”, shkruan ata.

Ai thekson se ligji mund t’i adresohet Gazetës Zyrtare edhe pa nënshkrimin e kreut të shtetit, në këtë rast pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

“Për faktin që kreu i shtetit ka vetëm se kompetencën e vetos për një kohë të caktuar, kjo nënkupton që kreu i shtetit me vendimet e tij nuk mund të cënojë punën e Parlamentit dhe në këtë drejtim mendoj se rrugëdalja është që ligji pa nënshkrimin e kreut të shtetit t’i adresohet Gazetës Zyrtare, që ajo ta nxjerrë ligjin dhe pas kësaj të mund të vihen në funksion institucionet e tjera kushtetuese që kanë kompetenca kundrejt dilemave që ka kreu i shtetit për ligjin”, deklaroi Xhaferi. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2018, ora 23:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori