Xhaferi kërkon respektimin dhe zbatimin e rregullores së Kuvendit
Kryetari i KuvenditRepublikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi u takua sot me ambasadorin e Italisë në Maqedoni, Karlo Romeo me të cilin biseduan për ngjarjet në Kuvend.

Siç njoftoi edhe shërbimi për shtyp i Kuvendit, Xhaferi e ka informuar ambasadorin për ngjarjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në lidhje me formimin e trupave të punës, Komitetin për marrëdhënie ndëretnike, delegacionet e përhershme dhe grupet e deputetëve për bashkëpunim bilateral me parlamentet tjera, me çka, theksohet, do të mundësohet që Dhoma ligjdhënëse të punojë me funksionalitet të plotë dhe me përgjegjësi t’i kryejë detyrat e saj në nivel nacional dhe ndërkombëtar.

Mes tjerash, Xhaferi theksoi se Kuvendi do të jetë transparent, me çka seancat do të mund të ndiqen nga ana e opinionit me mundësi për paraqitjen e qytetarëve të interesuar në ueb faqen e KuvenditRepublikës së Maqedonisë.

Bashkëbiseduesit biseduan edhe për situatën politike në vend dhe për ngjarjet e 27 prillit me ku ambasadori Romeo, theksoi se ajo që ka ndodhur është shumë serioze dhe njëkohësisht edhe shkelje e demokracisë së popullit.

Xhaferi,ka nënvizuar se ngjarjet e pakëndshme duhet të lihen në të kaluarën dhe të shërbejnë si kujtim historik dhe nxitje për gjeneratat e reja që të shikojnë përpara dhe të fokusohen drejt një të ardhme të përbashkët në vend.

“Gjatë bisedës u tha se në këtë periudhë të tranzicionit është me rëndësi të veçantë bashkëpunimi dhe përfshirja konstruktive e opozitës, mbështetja e të cilës është e mirëseardhur për zbatimin e reformave të cilat janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Në këtë drejtim, kryetari Xhaferi e theksoi rëndësinë e krijimit të komunikimit midis të gjithë deputetëve dhe të respektohet dhe zbatohet Rregullorja për punë në Kuvend”, thuhet në kumtesë.

Ambasadori italian potencoi se Italia e mbështet Republikën e Maqedonisë nga pavarësia e saj në vazhdimësi dhe do t’i ofrojë mbështetje institucionale në aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në takim, ambasadori Romeo ia uroi funksionin e ri, kryetar i Parlamentit, Xhaferit dhe ia transmetoi urimin e dhënë nga ana e kryetarit të Senatit italian. Xhaferi në bisedë shprehu gatishmëri për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të përbashkët. /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2017, ora 20:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori