Koreja e Veriut “nuk ndalet”, hedh një tjetër raketë balistike

Koreja e Veriut këtë të shtunë ka lëshuar një tjetër raketë balistike “të tipit të panjohur” në brigjet e saj lindore.

Lajmin e bënë të ditur mediat e huaja, tw cilat bëjnë me dije se ministria japoneze e Mbrojtjes gjithashtu vuri në dukje në Twitter se mund të jetë një raketë balistike.

Koreja e Veriut lëshoi një tjetër raketë në det në brigjet e saj lindore të mërkurën, ndërsa Pheniani u zotua të vendosë forcat e tij bërthamore “me shpejtësi të plotë”.

Sot është testi i 15-të i armëve i Koresë së Veriut këtë vit, i cili tashmë ka lëshuar disa raketa balistike dhe supersonike. Në mars, ajo lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), duke i dhënë fund moratoriumit që kishte shpallur në mënyrë të njëanshme në 2017.

Në të njëjtën kohë, Koreja e Veriut kundërshton garancitë e SHBA se është gati për dialog. Procesi i negociatave për denuklearizimin e Gadishullit Korean mbetet në ngërçin absolut në të cilin u gjend në vitin 2019.