Wolhers: Paanshmëria e medias rrit besimin
Raportimi i paanshëm ka një rëndësi jetike për gazetarinë, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Paul D. Wohlers, në Konferencën për rolin e mediave, e cila po zhvillon ditën e saj të tretë të punimeve në kryeqytetin maqedonas, raporton Zhurnal.


"Në këto rrethana që ndryshojnë vazhdimisht, gazetaria e përgjegjshme, e sinqertë dhe jopartiake, është e rëndësisë vitale. Nëse gazetarët marrin anë gjatë raportimit të tyre, rritet edhe mosbesimi në mediat. Ndërkohë që ndryshojnë format e mediave, roli i gazetarisë mbetet i njëjtë", deklaroi ambasadori në fjalën e tij.

Konferenca me temë "Ndërto ose rrëno: mediat në kohezionin shoqëror" organizohet nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Ambasadës së SHBA-ve në Shkup dhe e njëjta konferencë do të mbledhë së bashku gazetarë nga Maqedonia dhe Kosova për të folur rreth problematikës së medias në këto dy vende dhe për të nxitur bashkëpunimin reciprok mes dy grupimeve të gazetarëve.

Ekspertët amerikanë Jamiah Adams, eksperte për media sociale dhe producente e pavarur, dhe Teri Schultz, gazetare e pavarur dhe konsulente për media, do të jenë ligjëruesit kryesorë të konferencës, por nuk do të mungojnë as përfaqësues nga Instituti i Maqedonisë për media. /albeu.com/
Shtuar më 15/05/2012, ora 13:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori