Wohlers-liderëve: Mos punoni vetëm për interesa personale
Paul Wohlers
"Partitë politike të realizojnë aktivitetet e tyre duke u kujdesur edhe për interesat më të gjera të shtetit, dhe jo vetëm për të vetat". Është ky mesazhi i radhës i ambasadorit amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers, në momentet kritike të krizës që po zgjat nga 24 dhjetori i vitit të kaluar.

"Pozicioni ynë është që kriza, nëse mund të quhet e tillë, duhet të tejkalohet për të mirën e shtetit", është shprehur diplomati.

Ai ka porositur se të gjithë liderët politikë, pavarësisht pozicionit të tyre, duhet të punojnë në të mirën e së ardhmes së shtetit.

"Vlerësoj se liderët politikë, si ata në Qeveri ashtu dhe ata në opozitë, duhet të punojnë së bashku në të mirën e së ardhmes së vendit, të Republikës së Maqedonisë, dhe jo vetëm për interesat e tyre. Vlerësojmë se situata politike duhet të tejkalohet, por për këtë është e nevojshme të ulet dhe të bisedohet, në mënyrë të përbashkët nga të gjithë", ka deklaruar Wohlers.

Nëse duhet të kthehet në Kuvend opozita, ambasadori ka shmangur të përfshihet në komentimin e specifikave të mundshme për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

"Mbetet që subjektet politike ta bëjnë këtë, por do të përsëris se të gjithë duhet të udhëhiqen nga interesat e shtetit. Sikur ata ta kenë këtë imperativ, do të ishte i mundur tejkalimi i situatës", ka vijuar ambasadori amerikan Wohlers.

Komentet, ambasadori i shtetit lider në botë, i ka bërë gjatë vizitës në Fakultetin për Turizëm dhe Hotelieri në Ohër, ku ka ligjëruar para studentëve në temën e sipërmarrjes. /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2013, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori