Westerwelle: Nuk ka lëshime, por as barriera
Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle theksoi sot në Shkup se kriza politike në Maqedoni kërkon zgjidhje të brendshme nga ana e partive politike. Porosia e tij erdhi pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Popovski.

Westerwelle nënvizoi se Gjermania është e shqetësuar për krizën politike dhe se ai i bëri thirrje të gjithë liderëve politik që të respektojnë rregullat e demokracisë dhe të vendosin respektin e ndërsjelltë dhe mirëkuptimin në drejtim të interesave shtetërore.

"Kriza politike kërkon zgjidhje përbrenda dhe se ajo duhet të zgjidhet nga liderët e partive. Gjermania qëndron prapa perspektivës evroperëndimore dhe mbështet Maqedoninë në rrugën e saj drejt Evropës, megjithatë ka akoma shumë hapa për të bërë. Rregullat janë të njejta për të gjithë, nuk ka lëshime, por nuk ka edhe barriera", u shpreh ministri i asjhtëm gjerman.

Ministri i jashtëm Nikolla Popovski ka theksuar se porosia e Guido Westerwelle është e qartë dhe se vendi duhet të fokusohet drejt integrimeve evroatlantike dhe bashkëpunimit rajonal.

"Vetëm me bashkëpunim të përbashkët mund të shkojmë përpara", deklaroi Popovski.

Shefi i diplomacisë gjermane pasdite do të takohet edhe me kryetarin e shtetit Gjorgje Ivanov, zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi si dhe takimi me liderin e LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski.

Westerwelle nuk do të takojë kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërkohë para mbërritjes së tij në Shkup ai ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë, njofton A1on. Arsyet pse ata nuk do të zhvillojnë asnjë takim nuk janë bërë ende të ditura. /albeu.com/
Shtuar më 22/02/2013, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori