Von der Leyen: Të mbajmë premtimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kriteret për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.

Në kuadër të vizitës së saj në Kroaci e cila më 1 janar ka marrë Presidencën e Këshillit të BE-së, Ursula von der Leyen zhvilloi një takim me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç.

Ursula von der Leyen në një konferencë të përbashkët për media me Plenkoviç tha se në takim diskutuan temat mbi të cilat do të jetë fokusi gjatë presidencës së Kroacisë.

“Në mesin e çështjeve që u diskutuan janë vendosja e një qëndrimi të përbashkët të BE-së kundër zhvillimeve në Irak dhe Iran si dhe procesi i anëtarësimit të vendeve të Evropës Juglindore”, tha Leyen e cila vuri në dukje se “Muajt e ardhshëm janë shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e marrëdhënieve tona me Ballkanin”.

Leyen tha se kushtet e reja për anëtarësim do të prezantohen për opinionin publik përpara samitit që do të zhvillohet në Zagreb në maj. “Kushtet e reja nuk duhet të ndikojnë kushtet dhe kriteret që kanë përmbushur vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kriteret për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Tani është koha në mbajtjen e premtimeve që kemi dhënë”, shtoi ajo.

Ndër të tjera Leyen njoftoi se më 17 shkurt do të zhvillojnë konferencën e donatorëve për Shqipërinë e cila pati viktima dhe dëme të mëdha nga tërmeti që ndodhi më 26 nëntor 2019.

Ndërkohë duke përmendur edhe tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, Leyen tha se “Në rastet e përshkallëzimit të dhunës, zgjidhja janë bisedimet. Burimi i secilit konflikt është mungesa e bisedimeve. Është e nevojshme të përdoren kanalet efektive të komunikimit që janë provuar më parë. BE ka kanale të tilla efektive të përdorura në kohë krize”.

Lidhur me çështjen e Brexit-it, presidentja e KE-së, Leyen tha se mes Britanisë dhe BE-së ka shumë pikëmpamje dhe interesa të përbashkëta. “Bëhet fjalë për fillime të reja me miq të vjetër”, shtoi ajo.

Ndërsa kryeministri kroat, Plenkoviç tha se ka një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë së Kroacisë dhe KE-së dhe se në takimin e sotëm është diskutuar për çështjet më aktuale dhe prioritetet gjatë presidencës së Kroacisë.

Ai shtoi se çështja e Brexit-it nuk do të ketë ndonjë ndikim konkret për Kroacinë e cila ende nuk është e përfshirë në zonën Schengen.//AA
Shtuar më 11/01/2020, ora 08:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori