Volers takon Ali Ahmetin
Ahmeti - Volers
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti është takuar sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, z. Poll Volers.

Bashkëbiseduesit diskutuan rreth aktualiteteve në vend me theks të veçantë të anëtarësimit të vendit në NATO, ligjit për lustrim, por diskutuan edhe rreth incidentit të mbrëmshëm në rrethinë të Shkupit ku humbën jetën 5 persona në rrethana akoma të pasqaruara.

Z. Ahmeti dhe Ambasadori Volers shprehën keqardhje për incidentin e rëndë dhe u dakorduan që është e rëndësishme që hetimet të bëhen në mënyrë të detajuar duke sjellë para drejtësisë sa më parë përgjegjësit për këtë krim.

Bashkëbiseduesit u dakorduan gjithashtu që institucionet e vendit duhet të janë aktive edhe në menaxhimin e situatës por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë opinionbërësit gjithashtu duhet të japin kontributin e tyre duke mos paragjykuar motivet për këtë krim.

Biseda vazhdoi rreth perspektivave Euroatlantike të Maqedonisë. Ambasadori Volers përsëriti se e vetmja e ardhme e Maqedonisë është në strukturat Euroatlantike dhe që anëtarësimi i Maqedonisë nuk varet nga samiti i NATO në Çikago, por mbetet në fuqi vendimi i aleancës i marrë në Samitin e Bukuresht që Maqedonia përmbush kushtet për anëtarësim dhe që do të bëhet pjesë e NATOs sapo të zgjedh çështjen e emrit.

Kryetari Ahmeti e informoi Ambasadorin Volers rreth përpjekjeve intenzive të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Qeverisë së Maqedonisë për të arritur përparim në këtë proces, ngjashëm siç u vendos për të hapur dialogun substancial me Bashkimin Evropian. Këto përpjekje duhet të ndihmohen edhe nga komuniteti ndërkombëtar për arsye se rëndësia e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO tejkalon kufijtë e vendit dhe mundëson stabilitet të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik.

Ambasadori Volers gjithashtu shprehu interesim për propozim Ligjin për Lustrim pas abrogimit të disa dispozitave të këtij Ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese. /albeu.com/
Shtuar më 13/04/2012, ora 18:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori