Vogëlushët shqiptar të Maqedonisë do t'a kenë gati në shtator abetaren e unifikuar
Pëlqej
Edhe pse dy vjet nga marrëveshja e arritur në sferën e arsimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe pesë vjet nga përdorimi i abetaresunifikuar shqiptare në Kosovë, nxënësit shqiptarë të Maqedonisë as këtë vit shkollor nuk do ta kenë në duar abetaren e unifikuar, shkruan Portalb.mk.

Abetarja e unifikuarPërdorimi i abetaresunifikuar nga nxënësit shqiptarë të Maqedonisë paraprihet me ndryshim të ligjit të teksteve shkollore, megjithatë siç bëri të ditur zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu, kjo do të parashihet me ndryshim të ligjeve për arsim fillor për të cilin ende po punohet në Ministri.

“Ne kemi nismë për ndryshim të ligjeve në të gjitha nivelet, sipëror, të mesëm dhe fillor. Jemi duke mbledhur informata në lidhje me abetaren dhe kuptohet që do të insistojmë qe të ndryshojmë edhe ligjin e teksteve shkollore që të mund ta zbatojmë abetaren e Unifikuar në Maqedoni”, tha Ganiu.

Në lidhje me mosvënien në funksion të abetaresunifikuar shqiptare në Maqedoni, profesori universitar Fatmir Sulejmani për Portalb.mk vlerëson se është koha e fundit që nxënësit shqiptarë, kudo që jetojnë, të shfrytëzojnë një abetare të vetme. Sigurisht që kjo është dashur të ndodhë shumë më herët, sikur Maqedonia të mos kishte ndjekur udhën e hegjemonizmit arsimor e kulturor dhe sikur ne të ishim pak më këmbëngulës në luftën për të drejtat tona shumë legjitime…

Krahas zvarritjes së çështjes së abetares, viteve të fundit jemi dëshmitarë se kishte gabime të shumta dhe skandaloze në librat e gjeografisë, shoqërisë, historisë dhe muzikës, por edhe fyerje dhe pavërteta kundrejt shqiptarëve. Zëvendësministri i Arsimit Visar Ganiu, në lidhje me këtë çështje tha se “po punohet për largimin e tyre”, por nuk dha ndonjë datë konkrete kur të njëjtat do të largohen.

“Ne jemi duke formuar grupe punues nga ekspert të lëmive përkatëse dhe kuptohet që në fazën përfundimtare do të ndërmarrim hapa tjerë të cilat do të jenë në interes të shqiptarëve”, tha Ganiu.

Sipas profesor Sulejmanit, “krahas abetaresunifikuar, duhet të punohet seriozisht edhe për zgjidhjen e problemeve me tekstet tjera mësimore dedikuar nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët procesin mësimor e ndjekin në Gjuhën e bukur dhe të lashtë shqipe. Mendoj se janë toleruar tej mase fyerjet në baza etnike të shqiptarëve nëpërmjet teksteve shkollore, si ato të Historisë e të Gjeografisë. Të shpresojmë se qeveria e re përgatitjen e teksteve shkollore do t’ua besojë profesionistëve të fushave përkatëse, jo injorantëve që nuk e kuptojnë rolin e tyre (teksteve shkollore) për të ardhmen e një shoqërie mirëfilli demokratike, të cilën nuk mund ta lidh asgjë me mendësinë mesjetare …”, tha profesor Sulejmani.

Vlerësime të ngjashme me ato të profesor Sulejmanin dhanë edhe reformuesit e arsimit të Planit 3-6-9-12 të cilët thanë se “nuk shohin pengesë në inkluzivitetin arsimor dhe shtetëror nëse bëhet unifikimi i abetares dhe teksteve shkollore dhe vlerësojnë se ajo do të jetë një mundësi mirë e standardizimit të gjuhës shqipe”.
Shtuar më 24/08/2017, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori