Tabelat orientuese në Shkup pa gjuhën shqipe
Në Malin Vodno mbi Shkup sot janë përuruar 42 tabela treguese të shtigjeve, ku mungon gjuha shqipe.

Këto tabela janë vetëm në maqedonisht dhe në gjuhën angleze, ndërsa kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov theksoi se ato janë vendosur si pjesë e pilot – projektit për nënvizimin e shtigjeve malore dhe të bicikletave nëpër Shkup.

Projekti i këtyre tabelave treguese të shtigjeve është financuar nga Qeveria e Çekisë, përmes programeve për kooperim, ndërsa është realizuar nga Federata e Alpinistëve të Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qyteti i Shkupit, përcjell INA.

Por anashkalimi i gjuhës shqipe tregon se edhe në këtë rast nuk po respektohet Ligjit për gjuhët.


Nga Qyteti i Shkupit të pyetur nga INA se përse në këto tabela nuk respektohet gjuha shqipe, kanë dhënë përgjigjen e tyre:

“Ne si Qytet i Shkupit kemi përgjegjësi vetëm për tabelat të cilat vendosen nga Qyteti i Shkupit. Këto tabela as nuk janë dizajnuar nga ne as nuk janë vendosur nga ne. Tabelat janë vendosur nga shoqata e alpinistëve dhe nga ne kanë kërkuar leje për të vendosur tabela. Tabelat janë finansuar nga ambasada e Çekisë”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit.

Nga Federata e Aplinistëve nuk ka ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje, por që siç shkruan në faqen e tyre këto tabela janë vendosur për të informuar vizitorët, sportistët dhe të gjithë ata që dalin për rekreim në këtë zone. Edhe nga Ambasada e Çekisë pritet të deklarohen lidhur me këtë çështje.

Lidhur me këtë rast pritet edhe përgjigja nga Agjencia e Zbatimit të gjuhëve, por edhe Inspektorati për Zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Shtuar më 19/11/2020, ora 23:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori