Putin së shpejti jashtë Rusisë, cili është shteti i NATO-s që “i hapi derën”

Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kanë rënë dakord që lideri rus do të vizitojë Turqinë “së shpejti”, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, që citon një ndihmës të Kremlinit.

Vizita do të ishte e para e Putinit në një vend të NATO-s që kur ai urdhëroi dhjetëra mijëra trupa të hynin në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Putin rrallë ka udhëtuar jashtë Rusisë që nga fillimi i armiqësive në shkallë të plotë.

“Ka një ftesë nga presidenti i Turqisë. Putin dhe Erdogan ranë dakord që vizita do të jetë në të ardhmen e afërt, por ne ende nuk kemi biseduar për një ditë specifike, data specifike”, citoi Interfax të ketë thënë këshilltari për politikën e jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov.

Erdogan, i rizgjedhur muajin e kaluar për një mandat tjetër pesëvjeçar, ka kërkuar të mbajë lidhje të forta me Moskën dhe Kievin që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.

Turqia ka refuzuar të bashkohet me aleatët e saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, por gjithashtu ka furnizuar me armë Ukrainën dhe ka bërë thirrje që të respektohet sovraniteti i saj.


Shtuar 16.06.2023 20:59