VMRO vazhdon me pengesat, shtyhet për nesër seanca e Kuvendit
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë gjatë seancës së sotme debatoi për propozim vendimin për dhënien e pëlqimit për aktet e përgjithshme të Avokatit të Popullit. Seanca vazhdon nesër në orën 11:00.

Ixhet Memeti në elaborim theksoi se Ligji për Avokatin e Popullit nuk i realizoi në tërësi nevojat për pavarësinë financiare të këtij institucioni dhe as në të nuk janë vendosur rekomandimet e Pribesë.

Memeti tha se në Raportin e Pribesë ka pasur disa rekomandime kyçe të cilat do të mundësojnë përmirësimin e punës së institucionit Avokat i Popullit.

Një prej rekomandimeve kryesore ka qenë vendosja e dënimeve për ata të cilët do ta pengojnë punën e Avokatit të Popullit por edhe formimi i ad hock komisioneve anketuese për lëndë dhe raste të cilat do t'i ngrinte ky institucion.

Ai shtoi se Maqedonia akoma nga aspekti formalo-juridik nuk ka krijuar kushte që të ketë institucion nacional Avokati i Popullit i cili do të punojë me kapacitet të plotë për promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski pas fjalimit të Memetit kërkoi pauzë prej një ore që t'i shqyrtojnë stenogramet nga fjalimi. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha pauzë. Pas përfundimit të pauzës, pauzë të re kërkoi Zoran Ilioski i VMRO-DPMNE-së, që përsëri t'i shqyrtojnë stenogramet.

Xhaferi pasi edhe një herë tjetër u kërkua pauzë nga deputetët e VMRO-DPMNE reagoi duke thënë se është i qartë qëllimi i VMRO-DPMNE-së me formimin e dhjetë grupeve të deputetëve dhe kërkimin e koordinatorëve të tyre për pauzë po synohet bllokimi i Kuvendit dhe e ndërpreu seancën, ndërsa vazhdimin e saj e caktoi për nesër në orën 11.

Paraprakisht deputetët e zgjodhën Spase Gligorov drejtor të Agjencisë për administratë.

Në rend dite të kësaj seance, midis tjerave, është edhe pika për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë, Marko Zvërlevski. /albeu.com/

Shtuar më 06/07/2017, ora 18:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori