VMRO të organizojë debate për MO-në
A duhet të organizojë debate për Marrëveshjen e Ohrit edhe partneri maqedonas në pushtet VMRO-DPMNE, të cilët si parti edhe kanë vënë firmën e tyre gjatë vitit 2001 për këtë dokument? Kjo pyetje pret përgjigjen nga krerët e kësaj partie të cilët në vete po ndjellin frikë nga implementimin deri në fund i këtij dokumenti.

Jemi dëshmitarë se këto debate deri tani janë organizuar vetëm nga partia shqiptare në qeveri BDI, dhe përveç VMRO-së janë anashkaluar edhe nga partitë shqiptare në opozitë PDSH e RDK...

Sekretariati për implementimin e MO-së deri tani (gjatë këtij viti) ka organizuar dy debate për implementimin dhjetëvjetësh të MO-së, një në Shkup dhe Tetovë, ndërsa do të organizojë edhe dy të tjera, ku njëra prej tyre do jetë ndërkombëtare. Madje, mosangazhimin e VMRO-DPMNE-së, si parti më e madhe maqedonase dhe formuese e Qeverisë, në debatet lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (MO) por edhe heshtjen e tërësishme të saj në këtë drejtim, ekspertët dhe analistët politik në vend e vlerësojnë si mungesë të vizionit dhe guximit politik.

Ish kryeministri Vllado Buçkovski ka thënë ditë më parë se mënyra se si VMRO-DPMNE prej vitit 2006 e deri më tani, “po e shfrytëzon implementimin e MO-së që të përmirësojë pozitën tonë në mjedisin ndërkombëtar ose e shfrytëzon për përfitim të pikëve ditore politike me qëllim rritje e rejtingut të saj”.

Duke komentuar edhe mospjesëmarrjen e asnjë funksionari të lartë të kësaj partie edhe në Debatin e fundit të organizuar nga Sekretariati për implementimin e MO-së, ish-politikani dhe analisti politik Merism Pollozhani thotë se këtë çështje duhet të trajtohen në vetë institucionet, ndërsa jashtë tyre shqiptarët janë duke fjetur.

Pajtimi shqiptaro-maqedonas nuk respektohet

“Meqë shqiptarët janë të përfaqësuar në pushtet, si në Qeveri ashtu edhe në Parlament, kjo formalisht nënkupton se dialogu në radhë të parë, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet, duhet të trajtohen në vetë institucionet, koj mungon dhe këtë e tregon praktika. Nuk mund të ndikojnë aas OJQ-të në politikën e Qeverisë, mund të bëjnë presion, por nuk mund të ndikojnë. Sa i përket veprimit jashtëinstitucional të shqiptarëve në formë të protestave apo të tjera unë them se shqiptarët janë duke fjetur”, deklaron Pollozhani, ku sipas tij “Marrëveshja e Ohrit që duhej të simbolizonte pajtim mes shqiptarëve dhe maqedonasve në përgjithësi nuk respektohet.

Ajo respektohet pjesërisht në përfaqësimin e shqiptarëve në administratën shtetërore dhe atë si kuantitet, si numër dhe jo si cilësi. Me shumë vështirësi marrëveshja nuk respektohet edhe në përdorimin e gjuhës shqipe”. Në analizën tij, Pollozhani thotë se për respektimin e gjuhës shqipe, Maqedonia mund të marrë shembullin Moldavisë.

“Në Moldavi, kur rusët, shumica ishin dhe janë ardhacakë nga Bashkimi Sovjetik të cilët përbënin rreth 1/3 e popullatës së Moldavisë, gëzonin të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse në të gjitha nivelet e arsimit dhe administratës shtetërore, përfshirë edhe Parlamentin dhe Gjyqësinë. Atje edhe sot e kësaj dite, të dy gjuhët trajtohen dhe praktikohen në mënyrë krejtësisht të barabartë. Këtu nuk ka vullnet për barabarësi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ky mocion këtu po bastardohet. Shqiptarët e përfaqësuar në Parlament shtiren se nuk kanë forcën, vendosmërinë dhe vullnetin e duhur”, thotë politikani Mersim Pollozhani.

Madje, sipas analistit Ibrahim Mehmeti, MO-ja duhet të respektohet në të gjitha sferat dhe në të gjitha institucionet dhe organizimet e shtetit dhe jo vetëm në aspektin teknik siç është pjesëmarrja e shqiptarëve në to, “sepse koj është gabim dhe e dëmshme edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit”, shkruan Zhurnal.

“Vetë fakti që funksionarët ose ministrat, pjesë e qeverisë të cilën e formon VMRO-ja, ose parti maqedonase në përgjithësi, nuk tregon kurrfarë interesi dhe iniciative ndaj realizimit të MO-së, flet qartazi se në çfarë stadiumi gjendet implementimi i kësaj Marrëveshje. Ne e kemi dëshmuar shumë herë, pavarësisht datave të shënuara, se MO praktikisht injorohet bile edhe kontestohet, jo vetëm nga pala në pushtet por në përgjithësi edhe nga partitë që e kanë nënshkruar MO-në. Kështu që pjesa shqiptare përpiqet që ta mbajë në sipërfaqe këtë proces dhe ta prezantojë si sukses”, thotë Mehmeti.

Ai mendon se kjo është pakë e tejdimensionuar, për arsye se nëse nuk kemi kurrfarë reagimi, kurrfarë vlerësimi përveç verifikimit të numrave të përqindjeve të shqiptarëve të punësuar në administratë, është vështirë të flitet për ndonjë sukses të kësaj Marrëveshje, “ose të thuhet se ajo është implementuar dhe se kanë mbetur detaje që të realizohen”.

Problemi është institucional

Ndërkohë, analistit Sasho Klenkovski pohon se problemi u bë institucional për shkak se MO-ja është kompetencë e Sekretariatit për implementimin e MO-së dhe e zëvendëskryeministrit të Qeverisë i obliguar për të.

“Për shkak të qasjes vertikale të autoriteteve tona, në esencë kjo do të thotë se në mënyrë automatike është qasje shumë e vogël e ministrive me resorë dhe Agjencive tjera dhe një nga problemet pse përfaqësuesit tjerë politik e shohin në këtë dimension. Krahas qasjes së këtillë mund të ketë vullnet të mirë nga dikush nga ministrat që janë maqedonas etnike, mendoj këtu për Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë e cila luan pjesë të kompetencave, ose ministria e Kulturës që mbulon pjesë tjetër të kompetencave dhe Ministria e Arsimit që mbulon pjesën e tretë të kompetencave, por nuk mundem ta kuptoj deri në fund, nëse janë probleme organizative ose mungesë e vullnetit”, thotë Klekovski, duke shtuar se se është shumë me rëndësi që zbatimi i MO-së nuk llogaritet si diçka jashtë përcaktimit të sistemit politik në Maqedoni, dhe kjo pozitë duhet të jetë me rëndësi më të madhe se sa është tani.

Ndërsa, analisti Albert Musliu vlerëson se mosangazhimi i VMRODPMNE- së është për shkak të mungesë së vizionit politik të palës maqedonase.

“Është mungesë e vizionit politik dhe mungesë se guximit politik dhe është një qasje e gabuar prej në fillim nga të dy palët. Pala shqiptare, fatkeqësisht, për shkak të politikës ditore filloi ta prezantonte MO-në si fitore edhe pse MO ishte kompromis dhe nuk i plotësonte të gjitha kërkesat e shqiptarëve, por as edhe të maqedonasve. Implementimi i plotë i kësaj marrëveshja garanton stabilizimin e këtij shtetit”, deklaron Musliu i cili thotë se tash tre vite merremi me buxhetin dhe po të ishte rregulluar MO-ja në 2001-shin atëherë nuk do të kishte shqetësime, demonstrata, protesta...

“Nëse çështja e ushtarëve të UÇK-së do të ishte rregulluar prej në 2001, nuk do të kishte probleme tani. Do të thotë kur mungon vullneti dhe guximi politik atëherë rriten problemet. Nuk i lidhi problemet vetëm me këto tre çështje, por te maqedonasit prej në fillim ka munguar vizioni politik”, nënvizon analisti Albert Musliu.

Ish-funksionarë, analistë politik dhe profesorëve universitar këtyre ditëve kishin shprehur mendimet e tyre lidhur me implementimin e MO-së në dekadën e parë, por edhe duke dhënë sugjerimet se çka duhet të bëhen në dekadën e dytë të implementimit të saj. Marrëveshja e Ohrit, madje sipas zv/kryeministrit Musa Xhaferi vazhdon të zbatohet, por jo në nivelin e dëshirueshëm, gjë me të cilën janë pajtuar edhe bashkëfolësit tjerë. /albeu.com/
Shtuar më 21/06/2013, ora 13:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori