LSDM nuk dorëzohet, refuzon ofertën e VMRO-së
Update - Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka refuzuar propozimin e fundit të VMRO-DPMNE-së për daljen nga kriza politike, me të cilin parashihej çelja e një afati të ri për dorëzimin e kandidaturave.

LSDM e ka cilësuar hipokrite konferencën e sotme për shtyp të VMRO-DPMNE-së, me të cilën, siç thuhet, u tregua mungesa e qasjes së përgjegjshme për interesat kombëtare dhe për të ardhmen e Maqedonisë.

"Opinioni po bindet se me çfarë shpërfillje po sillet Nikola Gruevski kundrejt krizës aktuale politike dhe për pasojat e rënda që mund të pasojnë thellimin e saj", thuhet në përgjigjen e LSDM-së.

Kjo parti rikujton se opozita nuk ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet për shkak se nuk ka pasur kohë për këtë, por për shkak se "vendimi për bojkot është përgjigje për puçin partiako-policor të Qeverisë".

"Askush në Maqedoni nuk ka hamendje se kredibilitetin e institucioneve të shtetit e japin, në këtë rast - e kthejnë qytetarët, përmes votës së tyre në zgjedhjet parlamentare fer dhe të lira", vijon përgjigjja e LSDM-së. /albeu.com/





16:00 - VMRO-DPMNE sfidon LSDM-në duke i dhënë edhe një javë afat për dorëzimin e listave për këshilltarë dhe kandidatëve për kryetarë komunash. Propozim më i ri, sipas anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të kësaj partie Zoran Stavrevskit është bërë për hir të interesave shtetërore dhe në drejtim të tejkalimit të ngërçit politik. VMRO-DPMNE propozon që listat për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të dorëzohen deri më 3 mars në mesnatë.

Ky propozim nuk parasheh edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve pasi sipas Stavreskit afati është i mjaftueshëm që të gjitha partitë politike të mund të dorëzojnë listat e kandidatëve për këshilltarë dhe kryetarë komunash. Megjithatë që kjo të arrihet nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedhorë, që nënkupton edhe kthimin opozitës në kuvend.

"Përcaktimi i një afati të ri për paraqitjen e listave të kandidatëve për këshilltarë dhe kryetar komunash, që do të zgjaste deri më 03.03.2013 deri në ora 24. Gjatë këtij afati të gjitha partitë politike do të mund ti parashtrojnë listat. Kjo procedurë do të mundësohej me ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe ka të bëj vetëm me këto zgjedhje lokale. Në rast se LSDM-ja sot e pranon këtë propozim, nesër në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit do të miratoheshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të njëjtat do të hynin në fuqi menjëherë", deklaroi Zoran Stavrevski.

Nga partie e Gruevskit shprehen të vetëdijshëm se që kjo të arrihet nevojitet dialog politik dhe kthim të opozitës në kuvend.

"Në drejtim të tejkalimit të krizës politike, rezultate pozitive do të kishte po që se LSDM-ja sjell vendim për kthimin e grupit të saj parlamentar në Kuvend, me çka do të vazhdonte dialogu politik për të gjitha çështjet e rëndësishme", u shpreh Zoran Stavrevski, anëtar i komitetit ekzekutiv të VMRo-DPMNE-së.

Sa u përket ngjarjeve të 24 dhjetor nga VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimin për formimin e një Komisioni i cili do të kishte kompetenca për zbardhjen e rastit. Për Partinë e Gruevskit mbetet i pranueshëm edhe propozimi i presidentit Ivanov. Për VMRO-DPMNE-në propozimi tyre është konstruktiv dhe hap mundësi që LSDM-ja të kthehet në proceset politike normale dhe të mundësoj vazhdimin e proceseve integruese të vendit.

Në të kundërtën po që se ky propozim refuzohet nga LSDM-ja atëherë shihet qartë se Cërvenkovski dhe partia e tij kanë për qëllim që të shkaktojnë krizë politike e cila do të shkaktoj ngecje në procesin euro-integrues të vendit. /albeu.com/
Shtuar më 25/02/2013, ora 16:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori