DETAJET/ U fut për të shpëtuar vajzën, mbetet i vdekur babai nga Tirana

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike në Durrës ku pasi u mbytën në det, kanë humbur jetën babë e bijë përkatësisht 44 dhe 9-vjeçe në Durrës, teksa mësohet se ka qenë kjo e fundit është rrëmbyer nga dallgët.

Babai ka parë të bijën në rrezik dhe është futur menjëherë në det, duke tentuar të shpëtojë të bijën e mitur, teksa ka gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes.

Vajza është nxjerrë e gjallë nga deti dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë disa minuta më vonë.

Pushimet për familjen e DH.B., 44-vjeç dhe M.B., 9-vjeçe janë shndërruar në një tragjedi të vërtetë pasditen e sotme, teksa ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00.

Nuk dihet ende nëse në zonën ku ka ndodhur ngjarja ka kulla vrojtimi dhe nëse ka qenë ndonjë person i posaçëm në detyrë, ndërsa të parët që kanë ndërhyrë kur kanë parë ç’po ndodhtë në plazhin e Rrushkullit, kanë qenë pushuesit e tjerë, ku pavarësisht përpjekjeve dhe nxjerrjes së atë e bijë në breg, nuk është bërë i mundur shpëtimi i tyre.

Mësohet se familja të cilës i ndodhi tragjedia është nga Tirana dhe kishte shkuar në qytetin bregdetar për pushime. Kjo nuk është ngjarja e parë e këtij lloj ndërsa pavarësisht përgjegjësive, fatkeqësisht viktimat përcillen dhe askush nuk hetohet dhe vihet para drejtësisë.

“Më datë 26.08.2020, rreth orës 18:00, në Rrushkull, Durrës, shtetasi Dh.B., 44 vjeç dhe shtetësja e mitur M.B., 9 vjeçe, (baba dhe vajzë), dyshohet se janë futur duke u larë në det, e për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi Dh.B., ndërsa shtetësja M.B., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi fillimisht policia, ndërsa pak minuta më pas ka dalë me një njoftim të dytë..

“Në lidhje me informacionin e më sipërm ku humbi jetën duke u larë në det shtetasi Dh.B.,44 vjeç, ju bëjmë me dije se ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës edhe shtetësja e mitur M.B., 9 vjeçe.”


Shtuar 26.08.2020 18:09