VMRO nuk sqaron kërcënimet ne lidhje me formimin e qeverisë LSDM-BDI
Ndonëse kërcënoi LSDM-në se do të përballet me probleme nëse formon qeverinë në kundërshtim me vullnetin e shumicës, VMRO-DPMNE nuk ka saktësuar planin e veprimit të saj dhe nuk tregon se çfarë probleme do ti shkaktojë qeverisë së re.

Ditë më parë partia e Nikolla Gruevskit njoftoi se subjektet që formojnë mazhorancën pa VMRO-DPMNE-në do të jenë përgjegjëse për shkeljen e vullnetit të shumicës së qytetarëve.

Të pyetur nga Alsat M se në çfarë aludojnë me këtë qëndrim, protesta, bojkot të mandateve apo diçka tjetër, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së nuk dhanë detaje, por u mjaftuan vetëm me një deklaratë të shkurtë me shkrim në të cilën thonë se do të respektojnë vullnetin e popullit.

“VMRO-DPMNE çdoherë ka dëgjuar dhe respektuar vullnetin e popullit. Për këtë shkak morri besimin e madh nga shumica e qytetarëve. Do ta dëgjojmë dhe respektojmë vullnetin e popullit edhe atëherë kur nuk respektohet zëri i shumicës”, thuhet në deklaraën e lëshuar nga VMRO-DPMNE.

Ish zyrtari i VMRO-DPMNE-së, Jove Kekenovski pohon se letrat e Nikolla Gruevskit janë lexuar tashmë dhe se nuk do të ketë sukses në asnjë skenar të mundshëm. Kekenovski beson se qytetarët dhe mbështetësit e VMRO-DPMNE-së nuk do të bëhen viktimë e lojërave të Gruevskit dhe klikës së tij.

Do të mundohen që për herë të fundit të animojnë numër sa më të madh të qytetarëve, më pas duke manipuluar dhe luajtur me karta nacionale dhe patriotike edhe pse ato janë patriot të rrejshëm të cilët deri më tani e kanë shitur shtetin për interesat e tyre – deklaroi Jove Kekenovski, ish zyrtar i VMRO-DPMNE-së.

Qëndrimet e tilla të VMRO-DPMNE-së janë intensifikuar që pas dështimit të mandatarit Nikolla Gruevski për të formuar qeverinë e re.

Reagimet e tilla u theksuan edhe më tepër kryesisht pas fillimit të negociatave mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e mundshëm të shumicës së re parlamentare. Në zgjedhjet e fundit VMRO-DPMNE siguroi 51 deputet.
Shtuar më 08/02/2017, ora 17:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori